Arbëri

Hoxhaj i reagon Vuçiqit: Ideja serbe për treg rajonal është pro ruse

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër tregut të përbashkët rajonal të ideuar nga Serbia.

Ai ka thënë se kjo ide është tendencë anti-evropiane për ta dominuar rajonin dhe për ta shtuar ndikimin e Rusisë në Ballkan.

Hoxhaj ka deklaruar se Kosova është kundër një 'Jugosllavie të re' dhe se opsioni i vetëm për Kosovën është orientimi euroatlantik.

"Ideja e Serbisë për një treg të përbashkët rajonal është tendencë anti-europiane për ta çorientuar dhe dominuar rajonin, si dhe zgjatur ndikimin e Rusisë. Kosova është kundër një ‘Jugosllavie të re’, model ky që ka dështuar në të kaluarën dhe ka rezultuar në luftëra të dhunshme.

"Opsioni i vetëm është orientimi euroatlantik", ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Deklarata e ministrit Hoxhaj dhe e kryeministrit Mustafa kundër tregut të përbashkët rajonal vjen pas takimit të para tri javësh në Sarajevë, ku fillimisht Serbia e më pas vendet e tjera në rajon përfshirë edhe Shqipërinë po e mbështesin një ide të tillë.