Arbëri

Vizita e kongresistëve amerikanë sinjal që SHBA s’ka ndryshuar qasje ndaj Kosovës

Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, në veçanti ajo politike, do të vazhdojë pavarësisht ndryshimeve në udhëheqësinë e SHBA-së.

Këtë e ka konfirmuar delegacioni amerikan nga Dhoma e përfaqësuesve të SHBA-së që po qëndron në Kosovë, pas takimit që kanë zhvilluar me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Sipas kongresistëve amerikanë, Kosova është vend shumë i rëndësishëm dhe për këtë nuk mungon angazhimi i SHBA-së.

“Ky është rasti i parë që anëtarët e Kongresit udhëtojnë jashtë SHBA-së pas betimit të bërë muajin e kaluar. Kosova është ndalesa jonë e parë. Kjo ndodh sepse ky vend është shumë i rëndësishëm. E gjithë bota i ka sytë nga Kosova dhe e gjithë bota po punon për Kosovën në njëfarë forme. Ne besojmë se një Kosovë stabile, ku janë të përfshira të gjitha palët qeverisëse, është ajo Kosovë që ne e dëshirojmë”, ka thënë Peter Roskam, kongresist amerikan.

“Vendi ynë është i kënaqur me atë që ka investuar për të ardhmen e këtij vendi dhe me atë që ju keni luftuar për të ardhmen tuaj. Kemi pasur telashe edhe brenda vetë vendit tonë, por siç tha kolegu, kjo është vizita jonë e parë jashtë SHBA-së pas tranzicionit që ka ndodhur. Një pjesë qëllimit të kësaj vizite është që të japim sinjalin se pavarësisht ndryshimeve në udhëheqësinë e vendit tonë, ne kemi një politikë dy-partiake në Ballkan, e në veçanti me Kosovën, dhe jemi të përkushtuar që këtë politikë ta vazhdojmë”, ka thënë David Price, kongresist amerikan.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se vizita e kongresistëve konfirmon edhe njëherë përkrahjen e fuqishme të SHBA-së për Kosovën.

“Sa herë kongresistët amerikanë kanë ardhur në Kosovë, e kanë përçuar vetëm mesazhin e lirisë”, ka thënë Veseli.

Gjatë qëndrimit në Kosovë delegacioni i kongresistëve amerikan është takuar edhe me shefat e grupeve parlamentare të subjekteve politike në Kuvend.

Sipas një kumtese për media të Nismës për Kosovën, kongresistët kanë kërkuar më shumë unitet politik për çështjet me interes nacional.

Në këtë takim është folur edhe për situatën politike në Kosovë.

Dje kongresistët amerikan u takuan me kryeministrin Isa Mustafa dhe me kryetarin e “Vetëvendosjes” Visar Ymeri.

Komision dypartiak me 20 anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së punon drejtpërdrejt me shtetet partnere në gjithë botën për të mbështetur zhvillimin e institucioneve ligjvënëse efikase e të pavarura.