
Çfarë bëri që punëtorët e Postës të ndërpresin grevën
Pak orë ka zgjatur greva e punëtorëve të Postës së Kosovës, të cilët nuk kishin marrë paga tash e 8 ditë.
Ajo është ndërprerë pas takimit që kanë zhvilluar përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, raporton KTV.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Etrit Hoti, ka treguar se ministri është zotuar për plotësimin e kërkesave.
Punëtorët kanë arritur t’i marrin pagat gjatë ditës, pas kryerjes së pagesës së qirasë në vlerë prej 800 mijë eurosh që Telekomi e ka bërë.
Posta e Kosovës të hyrat më të mëdha arrin t’i ketë nga kjo pagesë, derisa edhe shpenzimet më të mëdha, 80 për qind e tyre, janë për paga.
Brenda një viti, kostoja e shërbimeve universale të Postës arrin shumën e 1.2 milion eurove.
Për këtë ministri Lluka ka thënë se do të shqyrtohet mundësia e rritjes së shërbimeve të postës.
Ministri Lluka ka mohuar privatizimin e Postës.
Ndërsa, ka paralajmëruar se Telekomi do t’i hyjnë këtij procesi në një afat prej dy vjetësh meqë tani nuk ka investitor të interesuar si pasojë e gjendjes së rëndë financiare.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.