Arbëri

Ministria e Infrastrukturës e mban sekret kontratën me Bechtel & Enkan

Ministria e Infrastrukturës po vazhdon ta fshehë kontratën e nënshkruar me “Bechtel Enkan”, për autostradën “Arbën Xhaferi”

Më 11 qershor “KohaVisioni” ka bërë kërkesë për të parë kontratën me këtë kompani, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Por, ministria ka kaluar tw gjitha afatet ligjore, duke mos dhënë asnjë përgjigje.

Gati në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe me Institutin Demokratik të Kosovës.

Diana Metushi- Krasniqi bën të ditur se brenda kontratës ekziston një klauzolë, e cila pamundëson publikimin e kontratës pa aprovimin e kompanisë.

Ajo tregon se u është ofruar qasje pjesërisht në dokumente, duke pamundësuar nxjerrjen e një konstatimi për ndarjen e 53 milionëve nga Qeveria për këtë kompani.

Në Lëvizjen FOL thonë se vendimet e Qeverive të kaluara, po shfrytëzohen nga ato pasardhëse për arritjen e marrëveshjeve të reja.

Për këtë Jeton Zulaj thotë se shkelësit e ligjit duhet të ndiqen penalisht.

Pos kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi”, Ministria e Infrastrukturës prej tetë vjetësh nuk po e bën publike as atë për autostradën “Morinë- Merdar”.

Për këtë të fundit, madje, ka edhe një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës të marrë më 2 shkurt të këtij viti.