Arbëri

Sejdiu i gatshëm të rikthehet në krye të LDK-së, thotë se aty ka njerëz që punojnë për parti tjera

Foto: Driton Paçarada / KD / ilustrim

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, që u mund në garë për të vazhduar këtë detyrë nga ish-këshilltari i tij, Isa Mustafa, ka thënë se është i gatshëm që të kthehet në udhëheqje të partisë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga ai.

“Unë e kam dhënë përgjigjen time rreth kësaj pyetjeje që e shtroni ju, se është shtruar në forma të ndryshme. Gjithmonë kam qenë, jam, dhe do të jem i gatshëm që nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe njerëzit e saj mendojnë se mund të jem në përgjegjësi të veçuara, në këtë rast edhe në udhëheqjen e partisë, jam i gatshëm, absolutisht po”, ka thënë Sejdiu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se nuk është njeri që insiston domosdo për këtë.

“Absolutisht, por insistoj që LDK-ja të bëjë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Në këtë rast, unë jam një nga njerëzit që kujtoj se e kam energjinë, e kam bagazhin tim, thjesht edhe politik, edhe përvojën jashtëzakonisht të bollshme, por ajo gjithmonë mund të begatohet edhe plus që të jap kontributin tim në çdo situatë”, ka thënë ai.

“Prandaj, ajo që më shtyn mua ta them këtë, është brumi i saj, është esenca e saj, është përmbajtja e saj, është projekti i saj që nga fillimi - filozofia e saj politike”, ka shtuar më tej.

Sejdiu ka thënë se ka çështje me të cilat nuk është pajtuar as nuk pajtohet edhe sot, me zhvillimet brenda LDK-së, por ka thënë se nuk është momenti që tash ato t’i elaborojë.

“Mirëpo, ajo që mua më mban në LDK, është ajo që e kupton dhe është thjesht shprehje e unit, identitetit të saj real në anëtarësinë gjerë që ka dhe në strukturat e saj të gjera. Kjo, sepse LDK-ja është një parti, unë them gjithmonë, e fuqishme, pavarësisht nuancave kohore dhe momenteve që kanë qenë në procese të caktuara zgjedhore, nganjëherë thjesht procese jokorrekte, nganjëherë jo, por shumë raste, i dini edhe vetë në kronikat tuaja, e nganjëherë jashtëzakonisht jokorrekte, dëmtimet që janë bërë”, ka thënë Sejdiu. “Njerëzit kanë menduar se (flas për strukturën e LDK-së) rezultati do të jetë vetëm ai i kutisë (votës aty), por rezultati është edhe dikush tjetër se si është mbushur kutia apo si është abuzuar, dhe kanë ndodhur ato procese”, ka thënë më tej.

Sejdiu ka thënë tutje se “është e rëndësishme ajo që LDK-ja e ka një identitet real, në një filozofi që ka themelet e saj nga dhjetori i vitit 1989, në atë kohë kur edhe Presidenti Ibrahim Rugova merr timonin e saj”.

“Dhe, ta quajmë gjithë ajo ndjenjë që është në anëtarësinë e saj e zhvilluar - shpeshherë kemi anëtarë jashtëzakonisht cilësor që nuk janë në struktura në të sotshmen, por janë njerëz që nuk dalin në parti tjetër. Ata mund të kenë hidhërime edhe me LDK-në, mos ta vënë votën, mos të dalin në proces zgjedhor, por janë njerëz që nuk kanë lëvizur nga aty. Unë jam një nga njerëzit e tillë, sepse e dini në kohën kur ju i keni përcjellë edhe disa procese që kanë qenë, unë kam pasur hidhërimet e mia, që është e logjikshme, është e njerëzishme, por nuk kam kaluar në ndonjë subjekt tjetër”, ka thënë Sejdiu.

“Dhe, mendoj se kjo është një qasje e re që një parti politike e ka, sepse jemi ngopur me lëvizjet, siç i quajnë në Shqipëri, me “merkaton” që bëhet për një treg me lojtarë, me lëvizjet që kanë bërë njerëzit nga një parti në një parti tjetër, në forma të ndryshme. Ajo është e neveritshme dhe atë(dukuri) e kemi pasur të pranishme në Kosovë dhe fatkeqësisht është edhe tash.

Por, unë them se pikërisht kjo qasje që unë e kam dhe që e kanë shumë njerëz, me të cilët mendojmë bashkë, ka bërë që LDK-ja ta ruajë fizionominë e vet edhe në këtë aspekt. Ata që kanë dalë, kanë provuar parti të reja, janë therë, flas në kuptimin më negativ të mundshëm, ose kanë bërë shërbime thjeshtë për partinë…”.

Sjediu ka thënë se “e keqja më e madhe mund të jetë kur brenda LDK-së, sikurse edhe në parti të tjera, mund të ketë njerëz që punojnë për parti të tjera”.

“Mund të ketë njerëz që në projektet e tyre janë në shërbime të caktuar, të tillë që praktikisht dëshirojnë t’i mbajnë dy pozicione dhe të shohin se ka e mban barra. Praktikisht, është një diçka jokorrekte, ka ndodhur, ka shenja të tilla, pra ka pasur shenja të tilla se ka pasur, por s’dua të them emra”, ka thënë Sejdiu.