Arbëri

Hasani: Transformimi i FSK-së në Ushtri me Ligj i rrezikshëm për gjeneratat e ardhshme

Descriptive Text

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se transformimi i FSK-së në Ushtri përmes Ligjit mund të jetë shumë i rrezikshëm për gjeneratat e ardhshme.

Kjo sepse, sipas tij, një ndryshim i tillë përmes Ligjit hap mundësinë për ndryshime të tjera me ligj dhe shkakton tollovi ligjore e kushtetuese, që mund të sjellin probleme të mëdha.

“Nuk mund të ndryshohet mandati i institucioneve kushtetuese pa ndryshime kushtetuese. Misioni përcaktohet me kushtetutë. Kushtetuta është misioni dhe vizioni i krejt sistemit. Nuk mund të caktosh definimin e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe garancë që në këtë rast është Ushtria përmes ligjit. Ajo i hap rrugën që me ligje të tjera të bëhen ndryshime për dispozita të jashtëzakonshme. Norma kushtetuese është norma më me vlerë dhe ndryshimi i kushtetutës në shumicën shteteve bëhet me shumicë të kualifikuar, që gjeneratave t’u lihen gjërat në vend”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Hasani thotë se për këtë çështje duhet ndryshime kushtetuese dhe veprimi më i mirë do të ishte konsensusi politik.

Sa i përket çështjes së demarkacionit, Hasani ka ripërsëritur qëndrimin se metodologjia ishte tërësisht e gabuar dhe sipas tij kjo ishte për shkak të mosdijes. Krijimin e grupit të dytë të ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës, ai e ka quajtur gjë shumë të shëmtuar.