Arbëri

Dëshmitarja kritikon policinë për veprim të vonuar në rastin e burrit që rrahu gruan në sy të fëmijës

Ishte duke udhëtuar bashkë me motrën me veturë, por për një çast ndalon në lagjen “Dardania” për të ndihmuar një grua të cilën e sulmonte fizikisht bashkëshorti i saj në prezencë të fëmijës 7 vjeçar.

Dëshmitarja e cila nuk ka dashur të publikojë identitetin e saj thotë se është tmerruar nga ajo që ka parë enjten, raporton KTV.

Ajo thotë të ketë dalë nga vetura dhe së bashku me motrën e saj dhe kanë ndalur sulmuesin për pak çaste.

Dëshmitarja thotë që disa herë ka provuar të telefonojë policinë, por që nuk kanë qenë të qasshëm.

Kritikon policinë se kanë ardhur me vonesë.

Policia po atë ditë ka arritur ta arrestojë personin në këtë rast me iniciale B.B.

Zyrtarë të policisë për rajonin e Prishtinës nuk kanë qenë të qasshëm, por zëdhënësi Baki Kelani, vetëm e ka konfirmuar rastin duke mos dhënë detaje të tjera për vonesën eventuale të policisë.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë dje e ka miratuar kërkesën e Prokurorit dhe i ka caktuar 30 ditë paraburgim personit në fjalë.

Gjykata ka konstatuar se paraburgimi siguron zhvillimin e procedurës penale të papenguar, pasi ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se i njëjti mund të përsërisë veprën penale.