Arbëri

Kosova e Luksemburgu të gatshme të negociojnë Marrëveshjen e eliminimit të tatimit të dyfishtë

Ministri i Financave, Avdullah Hoti po qëndron për vizitë zyrtare në Luksemburg, ku është pritur në takim nga ministri i Financave i Dukatës së Madhe të Luksemburgut Pierre Gramegna, bëhet e ditur përmes një komunikate.

Më tutje thuhet se Hoti dhe homologu i tij nga Luksemburgu kanë diskutuar për zhvillimet ekonomike në Kosovë dhe situatën politike dhe ekonomike në rajon dhe më gjerë, transmeton Koha.net.

“Hoti e falënderoi ministrin Gramenga për gatishmërinë e fillimit të negociatave për Marrëveshjen e eliminimit të tatimit të dyfishtë, hap ky i cili do të mundësoj një bashkëpunim më të mirë tregtar si dhe do të hapë rrugën për mbajtjen e Forumit të Investimeve mes dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Të dy ministrat u dakorduan që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje, ku me këtë rast Hoti kërkoi ndihmën e shtetit të Luksemburgut për Kosovën në përgatitjen e legjislacionit për tregun e kapitalit.

Ministri i MF-së kërkoi nga homologu i tij përkrahje në procesin e liberalizimit të vizave si hap i domosdoshëm për implementimin e plotë të MSA-së për të cilën çështje ministri Gramenga u zotua për përkrahje.