Arbëri

Haradinaj thotë se Ushtria e Kosovës do të jetë e modeluar sipas NATO-s

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ushtria e Kosovës do të jetë aleat i besueshëm e kredibil për siguri në rajon e më gjerë. Sipas tij, Ushtria e Kosovës do të jetë e modeluar sipas kritereve të NATO-s.

Këtë e ka thënë në një takim me udhëheqësit e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) të kryesuar nga drejtori, Gjeneral Ralf Hoffmann.

Sipas njoftimit nga qeveria, në takim është biseduar për transicionin e FSK-së në Forca të Armatosura, për mbështetjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë, për domosdoshmërinë e vazhdimit të pranisë së NATO-s në Kosovë dhe për bashkëpunim të rregullt në forcimin e institucioneve të sigurisë. Haradinaj ka thënë se Kosova është e përkushtuar që në një të ardhme të afërt të jetë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike.

“Një ushtri e modeluar sipas kritereve të NATO-s, profesionale dhe gjithëpërfshirëse, do të jetë aleat i besueshëm e kredibil për siguri dhe paqe të qëndrueshme në rajonin tonë dhe më gjerë”, tha Haradinaj.