Arbëri

Basha: Nuk ka kthim prapa - të ikë Rama

Descriptive Text

Në çadrën e protestës së opozitës nuk ka kushte shumë komode për të qëndruar gjatë, por demokratët e kanë vendosur të mos tërhiqen deri në përmbushjen e kërkesës së tyre: largimi i kryeministrit Edi Rama si kusht për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Ne, nga ky shesh, i kemi dhënë një mesazh të fuqishëm botës: shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë, por vetëm demokraci të vërtetë, vetëm zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Në vigjilje të 20 shkurtit, rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, kreu i opozitës u bëri thirrje shqiptarëve t'i bashkohen protestës: “Të bashkohemi në këtë protestë pa kthim, deri në sigurimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, që do të thotë largimi i kësaj qeverie të korruptuar e të lidhur me krimin dhe një qeveri që do të garantojë se vota juaj do të respektohet, se vota juaj do të jetë ligj”.

Thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama janë thirrjet më të shpeshta që dëgjohen në çadrën e protestës.

Por, kryeministri Edi Rama duket se ka patur një ditë të zakonshme. Pak metra larg protestës, ai u takua me deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, por nuk pranoi të komentonte kërkesën e opozitës.

Kryeministri kaloi qetësisht shumë pranë çadrës së protestës dhe u fut në zyrën e tij nga hyrja e zakonshme.

Top Channel ka mësuar se në komunikimin javor pasdite, për herë të parë kryeministri do të mbajë një qëndrim për protestën.