Arbëri

KE dhe PE, thirrje BE-së për liberalizim vizash për Kosovën dhe hapjen e negociatave për Shqipërinë

Komisioni dhe Parlamenti Evropian duken qartësisht të vendosur që Shqipërisë dhe Maqedonisë t’i hapen negociatat e anëtarësimit.

Lëvizja më e fundit është e një grupi eurodeputetësh në krye të të cilëve janë ata që kanë prej vitesh lidhje direkte raportimi për Shqipërinë si Tanja Fajon, Knut Flecknestein, Eduard Kukan dhe Monica Macovei. Tek kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka mbërritur një letër e hapur drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian.

Duke qenë eurodeputetë që kanë lidhje me përgjigjen për vendet e Ballkanit Perëndimor, ata theksojnë se zgjedhja për një jetë në paqe dhe prosperitet, udhëhequr nga shteti ligjor nga institucione efektive demokratike, bashkon qytetarët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnje Hercegovina Kosova, Mali i Zi dhe Serbia e Maqedonia e Veriut, siç shkruajnë në letër eurodeputetët.

“Koha është pjekur për një vendim të guximshëm që vërtet hap rrugën drejt një integrimi të suksesshëm të 6 vendeve dhe 18 milionë banorëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letrën e eurodeputetëve, shkruan Tch.

Eurodeputetët u bëjnë thirrje liderëve të shteteve që të përfaqësojnë atë që e konsiderojnë si një mundësi që jepet një herë në jetë.

Ata theksojnë se popujt e Ballkanit kanë nevojë për një shenjë të qartë që BE mbështet përpjekjet e tyre për ndërtimin e shtetit modern me institucione të pavarura, ekonomi të zhvilluar dhe shoqëri solidare. Ata nënvizojnë rrezikun e ndikimit mbi Ballkanin Perëndimor të rajoneve të tjera dhe diçka që sipas tyre nuk duhet të ndodhë.

“Ne nxisim liderët evropianë të demonstrojnë angazhimin e tyre të qartë për perspektivën e gjithë rajonit, duke u dakordësuar për hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën në Këshillin Evropian më 28 dhe 29 qershor, të hapen kapituj të rinj në negociatat në vazhdim me Malin e Zi dhe Serbinë. Të zbatohet liberalizimi i vizave me Kosovën. Duhet të njihen edhe përpjekjet për reforma në Bosnje Hercegovinë në varësi të zgjedhjeve të përgjithshme të 7 tetorit. Bashkimi Evropian duhet të jetë një partner i besueshëm sepse kushtet janë përmbushur, siç Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë vlerësuar”, theksohet më tej në këtë letër.

Nënshkruesit e kësaj letre të hapur theksojnë se Evropa nuk dihet t’i zhgënjejë vendet e Ballkanit Perëndimor.