Arbëri

Haradinaj: Rikallo ose raporton në Komision, ose shkon në shtëpi

Të hënën ose të martën e javës së ardhshme, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, do të ftohet për raportim në Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural për të raportuar nëse kanë marrë masa ose jo për t’iu ndihmuar zonave të dëmtuara nga reshjet e fundit të shiut.

Mirëpo, mos ardhja e tij në Komision atij mund t’i kushtojë me shkarkim nga posti i ministrit. Kryetari i këtij komisioni, Daut Haradinaj, ka siguruar anëtarët e Komisionit se ministri Rikallo, ose do të vijë për të raportuar ose do të shkojë në shtëpi, transmeton KP.

“Ne do ta thërrasim ministrin dhe ai do të vijë”, ka thënë ai duke shtuar se deputetët s’kanë pse shqetësohen sepse ministri s’ka qare pa shkuar në komision, sepse përndryshe do të shkarkohet. “Njëra nga këto dyja”, tha Haradinaj.

Propozimin për ta ftuar në komision e dha deputeti i PDK-së, Andin Hoti, derisa po shqyrtonin Projektligjin për veprimtaritë hidrometeorologjike. Ai tha se Rikallo duhet të ftohet për t’u informuar anëtarët e Komisionit nëse ka buxhet apo jo për të ndihmuar zonat e dëmtuara nga shiu, sidomos komuna e Rahovecit.

“Unë propozoj ose kërkoj që ta ftojmë ministrin e Bujqësisë Rikallo, por edhe sekretarin e Ministrisë. Ne e kemi obligim ta thërrasim, nëse ai nuk vjen është problem i tij, duhet të merren masa tjera”, theksoi Hoti.

Propozimin e Hotit, e ka mbështetur edhe kolegia e tij në parti, Ganimete Musliu, e cila tha se duhet ta kryejnë rolin e tyre si komision dhe nuk duhet hequr dorë nga roli që kanë.

“Unë mendoj që duhet një afat sa më të shpejt ta ftojmë sepse ne po kemi problem ta kryejmë punën tonë si deputetë, edhe si komision parlamentar. Nuk po kemi mundësi të adresojmë as pyetje parlamentare sepse nuk po marrim përgjigje përmes pyetjeve parlamentare. Fatkeqësisht jo vetëm nga ministri Rikallo për edhe nga ministrat tjerë, dhe ne nëse heqim dorë nga ardhja në Komision për të na dëgjuar dhe marrë opinionet tona atëherë nuk e di pse duhet funksionuar si komisione”, theksoi Musliu.

Ndër projektligjet e shqyrtuara nga deputetët e këtij komisioni ishte edhe ai për trajtimin e ndërtimeve pa leje, ai për kompleksin memorial ‘’Adem Jashari’’ në Prekaz, si dhe Projektligji për rregullimin e shërbimeve të ujit. Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, aq i shumëpritur, për pak ditë do të miratohet dhe do t’u ndihmojë të gjithë atyre që përballeshin me vështirësi. Tani ky ligj parasheh taksat me të ulëta dhe në tërësi do të jetë në favor të qytetarëve, të cilët deri më tani kanë pasur probleme. U formua grupi punues për Projektligjin e kompleksit memorial ‘’Adem Jashari’’ në Prekaz, dhe ky projektligj pritet që shumë shpejt të marrë epilogun.

Komisioni po ashtu ka miratuar konfirmimin për leximin e dytë të Projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje.