Arbëri

Pse Evropa e preferon Thaçin dhe Vuçiqin në dialogun Kosovë – Serbi

Augustin Palokaj, korrespodent i grupit “Koha” nga Brukseli, ka thënë se Bashkimi Evropian e preferon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pjesë të dialogut pasi mendon se këta mund të kryejnë punë për marrëveshjet potenciale.

Sipas tij, Bashkimit Evropian i duhet dikush që mund të kryejë punë dhe për Serbinë “dihet se s’ka njeri më të pushtetshëm se Vuçiqi”.

Sa i përket Kosovës, Palokaj ka thënë se Thaçi me përkrahjen e kryeministrit Ramush Haradinaj mund t’i kryejë punët e nevojshme.

“Duhet të them që Thaçi e ka imponuar veten, ndërsa pushteti i Vuçiqit në Serbi është i pakontestueshëm. BE do të ketë punë me ata që mund të kryejnë punë. Pa Vuçiqin s’mund të kryhet punë në Serbi, ndërsa me mbështetjen e Haradinatj punët mund të kryhen edhe nga Thaçi”, ka thënë ai për Express Intervistën në KTV.

Sipas Palokajt, takimi i fundit i dy presidentëve nuk ka dalluar nga të kaluarit pasi edhe ky ishte jotransparent dhe pati pak deklarata për media nga pjesëmarrësit në takim.

Ai pret që verës të mos ketë shumë zhvillime në dialog, pos përparime në dialogun për marrëveshjet tashmë të arritura.

Palokaj ka thënë se ekziston rreziku që në fund të dialogut të dilet me një status quo të re dhe jo me marrëveshje përfunditmare.


“Zor se sivjet do të ketë liberalizim vizash”

Augustin Palokaj, korrespodenti i grupit “Koha” në Bruksel, ka thënë se sivjet zor se do të ketë liberalizim vizash për kosovarët.

Sipas tij, në dyshim është edhe fillimi i vitit të ardhshëm. Ai parashikon që Evropa të zvarrisë këtë proces.

“Bisedoj shpesh me zyrtarët e Komisionit Evropian dhe ata thonë se nuk kanë ide se për çfarë flasin politikanët e Kosovës. Nuk pritet raport fare për Kosovën. Pritet që Komisioni Evropian të informojë Këshillin se a është përmbushur kriteri i fundit për luftën e korrupsionit”, ka thënë ai

Ai ka thënë se fakti që misioni i cili ka ardhur në Kosovë për të parë zhvillimet akoma s’ka kryer punë dhe kjo tregon se ka interes të zvarritjes së procesit.

“Nuk ka data për liberalizim. Pasi jemi afër pushimeve, që në Parlamentin Evropian janë të gjata, do të thotë se nuk ka liberalizim para fundit të vitit, por tash në pikëpyetje është edhe fillimi i vitit të ardhshëm kur ka zgjedhje në institucionet evropiane”, ka shtuar ai.