Arbëri

Ministri Tahiri kërkon shuarjen e Organit Shqyrtues të Prokurimit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të shuhet Organi Shqyrtues i Prokurimit, dhe lëndët e kësaj natyre, të trajtohen vetëm nga gjyqësori.

Këtë Tahiri e ka kërkuar sot në Takimin e Nivelit të Lartë për Sundimin e Ligjit, që kishte pikërisht këtë temë-prokurimin publik. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se këtë gjë e ka kërkuar, pasi, siç e citon transmetuesi publik, vërehet që ky institucion ka ndikime të mëdha nga jashtë.

“Takimi i Nivelit të Lartë për Sundimin e Ligjit, sot kishte për temë prokurimin publik, si një prej fushave problematike që e kanë shoqëruar diskursin institucional për vite të tëra. Në mes tjerash, u diskutua për të arriturat, sfidat dhe problemet që e karakterizojnë veprimtarinë e Organit Shqyrtues të Prokurimit në Republikën e Kosovës. Prokurimi publik është proces jashtëzakonisht i rëndësishëm përmes së cilit realizohen shpenzimet publike të parave të taksapaguesve tanë, prandaj si institucione të përgjegjshme duhet ta evitojmë mundësinë e ndikimit politik të këtij organi. Konsideroj se formula e zgjedhjes së bartësve të funksioneve të shqyrtimit të prokurimit publik nga ana e Kuvendit të Kosovës, paraqet një rrugë të mundshme për ndikim politik, trajtim jo të barabartë të lëndëve që janë subjekt i shqyrtimit dhe rrezik të keqpërdorimit. Që nga themelimi i këtij organi, ka pasur debate rreth mundësisë së depërtimit të korrupsionit dhe kontrollit të tij nga politika” ka shkruar Tahiri.

Ai ka theksuar se gjithë ky ndryshim pritet të bëhet në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, ndërkaq lëndët e kësaj natyre mund t’i kalojnë Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Kjo praktikë, nuk është adresuar mjaftueshëm dhe tani duhet të marrë fund. Në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, kemi hapur shumë diskutime për sektorin e drejtësisë, përfshirë çështjet që lidhen me drejtësinë komerciale.

Nga takimet e gjera që kam pasur me institucionet dhe bizneset, ekziston një konsensus i përgjithshëm se institucionet tona duhet të jenë shumë më të përgjegjshme në mbikëqyrjen e rregullave përmes së cilave shpenzohet paraja publike.

Si ministër i Drejtësisë, shtrova para të pranishmeve alternativën për shuarjen e Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe trajtimin e temave të kësaj natyre në kuadër të sistemit gjyqësor, konkretisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Kësisoj, besoj se kompetencën për të vendosur drejtësinë në çështjet që ndërlidhen me prokurimin publik, duhet ta kenë organet e pavarura të drejtësisë, si pushtet i ndarë dhe jo organet që në një mënyrë apo tjetër zgjidhen përmes politikes apo influencohen nga ajo. Prandaj, jam i vendosur që këtë temë, ta trajtojmë me seriozitet dhe ta orientojmë drejt një zgjidhje funksionale, llogaridhënëse dhe pa ndikime” ka përfunduar Tahiri.