Arbëri

Pacolli premton dhjetëra njohje të reja në ditët e ardhshme

Shefi i diplomacisë kosovare ka premtuar njohjen e dhjetëra vendeve të reja për pavarësinë e Kosovës.

Ai ndërkaq ka hedhur poshtë pohimet e Beogradit zyrtar për tërheqjen e njohjeve nga vendet kryesisht afrikane, si Burundi, Guinea Busau dhe Liberia, duke thënë se një gjë e tillë është e pavërtetë. Përkundrazi, sipas tij, do të ketë njohje të reja për Kosovën, nga të gjitha kontinentet.

“Nuk duhet të merrem me deklarata të të tjerëve. Ne jemi duke krijuar miqësi, marrëdhënie me botën dhe mund t’ju them tani, se kemi me dhjetëra shtete të fuqishme që janë në proces për njohjen e Kosovës dhe këto njohje vijnë nga të gjitha kontinentet. Është proces i pandalshëm, dhe njohjet do të arrijnë dhe mos ta befasojnë askënd. Sa i përket tërheqjes së njohjeve, nuk ka pasur tërheqje... E di se dikush po gënjen, po shpif, nuk ka tërheqje të njohjeve as nga Guineja Bisau. Liberia ka deklaruar se askush nuk mund të flasë të saj, ata kanë konfirmuar marrëdhëniet e mira me Kosovën... Sigurisht po dhe nuk do të jetë befasi për asnjë, pasi procesi i shtetndërtimit të Kosovës është i qartë sa nuk ka të ndalur... Nuk do të përmend emra tani”, ka thënë Pacolli.