Arbëri

Thaçi: Është momentumi më i mirë për arritjen e marrëveshjes së paqes, ndryshe humbim të dy palët

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit të sotëm në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ishte një takim shumë i vështirë, megjithatë me tone pozitive për të gjetur një zgjidhje më të mirë për të dyja shtetet.

Në Bruksel janë takuar sot Thaçi e Vuçiq në një dialog të udhëhequr nga përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini, transmeton Koha.net.

“Ka qenë një takim jo i lehtë, por me tone pozitive për të shikuar interesin e të dyja vendeve. Mbes me shpresë se do të punojmë në mënyrë progresive dhe do të punojmë për paqe dhe të mos provokojmë njëri-tjetrin, edhe nëse nuk arrihet marrëveshja përfundimtare. E dimë se jemi në një bisedim të një konflikti një shekullor dhe është shumë i ndjeshëm. Por edhe e kaluara jonë historike dhe gjeografike na imponon për marrëdhënie të mira”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar se ky është momentumi i duhur për të arritur marrëveshje, pasi në mungesë të saj të dyja vendet do të humbnin shumë.

“Ky është momentum i duhur dhe përndryshe nëse e humbin këtë momentum do të paguajmë shtrenjtë të dy palët. Sot nuk kemi diskutuar për çështje konkrete, kemi diskutuar për rrugën se si do të shkojmë për rrugën përfundimtare të gjetjes së zgjidhjes për popujt tonë. Jetojmë pranë njëri-tjetrit e njohim njëri-tjetrin dhe duam të ndërtojmë raporte normale”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se pa normalizim dhe pa marrëveshje Kosova nuk mund ta realizojë synimet e saj, drejt NATO-së dhe BE-së, e kjo sipas tij vlen edhe për Serbinë.

“Nuk mund të mbesim viktimë të së kaluarës së hidhur, por duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nuk mund të mbesim peng e miteve të së kaluarës por duhet të shikojmë përpara. Në Kosovë e Serbi nuk është patriotizëm të shikohet nga e kaluara, por është të punojmë së bashku për të ardhmen. Shpresoj se Mogherini me ekipin e vet dhe SHBA-ja do të mund ta orientojnë drejtë këtë dialog dhe shpresoj që të dyja vendet të jenë fituese”, është shprehur ai.

Thaçi thekson se takimi i sotëm ishte më i vështirë se që po flet ai dhe më i rëndë, pasi sipas tij janë probleme të grumbulluara gjatë një shekulli.

“Prandaj nuk jam naiv që të mendoj se do të kemi zgjidhje magjike dhe të menjëhershme për të ardhmen. E di se me marrëveshje do të mund të fitojmë të dyja palët por jam i frikësuar se nëse nuk do të ketë marrëveshje do të humbim shumë, do të lëndojmë të ardhmen evropiane dhe do të mbesim të izoluara. Sepse BE nuk do të na pranojë as ne, dhe as Serbinë pa kalimin e këtyre problemeve. Ky dialog ka kaluar kornizat nacionaliste serbo-shqiptare. Shpresoj se Kosova do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme”, ka përfunduar Thaçi.