Arbëri

Limaj nuk beson në dialog ku s’është i përfshirë Kuvendi i Kosovës e ku s’ka konsensus nacional

Nisma Socialdemokrate është e gatshme të marrë angazhimin dhe përgjegjësinë e saj në dialogun me Serbinë, ka deklaruar kreu i kësaj partie Fatmir Limaj, i cili gjithashtu ka ftuar edhe partitë tjera të arrijnë një konsensus në mënyrë që dialogu me shtetin serb të ketë sukses.

Këto komente kryetari i Nismës i ka bërë gjatë Kuvendit të dytë të punës së partisë që drejton. Limaj është shprehur se nuk beson në dialog ku nuk është i involvuar Kuvendi i Kosovës, andaj sipas tij është koha e fundit që partitë politike të bëhen bashkë dhe të marrin përgjegjësitë që ju takojnë.

“Ne besojmë që për të pasur sukses një dialog duhet gjithëpërfshirje, duhet konsensus nacional. Ne ftojmë të gjitha forcat politike që janë të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës mos t’i ikin kësaj përgjegjësie, të bashkohemi në parlament, të marrim përgjegjësinë, të angazhohemi bashkë, të bëjmë përpjekje ta ndërtojmë konsensus sa më të gjerë dhe bashkë të marrim pjesë në këtë fazë finale të dialogut. Si parakusht i cili do të garantonte besueshmëri në këtë proces dhe transparencë. Ne nuk besojmë në dialog me individ, ne nuk besojmë në dialog që nuk është i involvuar Parlamenti i Kosovës dhe ne nuk besojmë në një dialog që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Koha e trafikimit të temave të mëdha në Kosovë ka marrë fund dhe nuk mund të trafikohen as bisedimet me dialog siç ka ndodhur në të kaluarën. Koha e fundit është që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të marrim përgjegjësitë që na takojnë që na i kanë dhënë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

I pari i Nismës Socialdemokrate është shprehur se do të vazhdojnë punën për të krijuar ushtrinë e Kosovës, ndërkohë që ka thënë se beson që vitin e ardhshëm qytetarët e vendit do të fitojnë liberalizimin e vizave.

“Si temë nacionale llogarisim liberalizimin e vizave për të cilat besoj që në vitin e ardhshëm qytetarët e Republikës së Kosovës përfundimisht dhe më në fund do të lëvizin lirshëm në Bashkimin Evropian, dhe Nisma Socialdemokrate ndjehet krenare që ka dhënë kontribut të arrijmë më shpejtë në këtë pikë. Ne do të angazhohemi fuqishëm për të shterur gjithë hapësirën dhe mundësinë që duhet të shfrytëzojmë nga ajo që e kemi detyrë dhe kompetencë që sa më shpejtë edhe Republika e Kosovës sikur çdo vend tjetër, të ketë ushtrinë e saj. Ne do të punojmë fort që edhe Kosova ta ketë sa më shpejt ushtrinë e vet”, tha Limaj.

Ai ka siguruar partnerët e koalicionit se Nisma do të vazhdojë partneritetin në qeverisje, do të jetë korrekt me partnerët dhe e angazhuar në plotësimin e programit qeveritarë pjesë e të cilit janë edhe katër zotimet e Nismës.

Po ashtu, ai është zotuar se të gjitha premtimet e Nismës do të realizohen gjatë këtij mandati qeverisës.

Ndryshe, Nisma Socialdemokrate ka mbajtur Kuvendin e dytë të punës.