Arbëri

OKB: Duhet të dënohen kryerësit e krimit më makabër në histori, dhunimin gjatë luftës në Kosovë

19 vite pas luftës së Kosovës, këtë fundjavë, gratë nga të gjitha rajonet e Kosovës, ndaj të cilave u ushtrua dhunë nga ushtria serbe, mblidhen për herë të parë, në një tryezë tri ditore, e cila po mbahet në Shëngjin të Shqipërisë.

Tryeza është organizuar nga Fondacioni Jahjaga, e mbështetur nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Në fjalën e saj, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi se nuk do të ndalet kurrë derisa drejtësia të vihet në vend, raporton KTV.

Përfaqësuesi i misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovë, Christopher Coleman, shprehu keqardhje që viktimat kanë pasur vështirësi për qasje në drejtësi. Ai theksoi se mbështetje ndaj tyre do të mbetet prioritet i misionit të OKB-së.

Sipas statistikave jozyrtare, forcat e kombinuara, policore, ushtarake e paramilitare serbe, dyshohet se kanë keqtrajtuar seksualisht rreth 20 mijë gra kosovare.

Në këto tri ditë do të mbahen edhe panele për fuqizimin ekonomik të gruas dhe qasjen e tyre në drejtësi.