Arbëri

Haradinaj thotë se prodhimi i rrymës me erë është i dobishëm për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në përurimin e fluturakeve të para të prodhimit të rrymës me erë, të cilat po bëhen nga kompania “Air Energy”.

Me këtë rast, Haradinaj tha se arsyeja e vizitës është për t’u njohur për së afërmi me përparimet që kanë ndodhë në investimet në energjinë me erë.

“Investimi në energji alternative është punë e dobishme për Kosovën”, tha Haradinaj, duke u shprehur i bindur se institucionet e Kosovës do të jenë partnere korrekte për investitorët.

Në njoftimin nga zyra e kryeministrit, thuhet se ai ka falënderuar kompaninë “Air Energy”, e cila ka sjell një teknologji shumë të re dhe të avancuar dhe e cila ka zgjedh Kosovën për të investuar, tha se bëhet fjalë për një projekt të suksesshëm.

Përfaqësuesi nga Turqia i kompanisë “Air Energy”, Musfik Hamdi Yamanturk, tha se kjo kompani ekziston që 61 vite dhe projekti këtu është ndër projektet e para jashtë Turqisë dhe një tjetër që është në Ukrainë. “Shpresojmë shumë edhe në investime të tjera të kësaj natyre”, tha Yamanturk.

Ndërkaq, Sait Vokshi, bashkë investitor në këtë projekt, u shpreh i kënaqur me punën që është bërë, duke shpresuar që edhe në shumë projekte të tjera do ta kenë përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri Haradinaj pas vizitës që i bëri trafostacionit dhe turbinave të erës, zhvilloi një takim me bashkë investitorët, nga të cilët u njoftua rreth investimit në këtë sektor mjaft të rëndësishëm për Kosovën.