Arbëri

Disfatat diplomatike të Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme vazhdon të insistojë se Liberia nuk e ka kthyer mbrapa vendimin për njohjen e Kosovës.

Por këtë nuk e kanë dëshmuar me konfirmim zyrtar, derisa në Serbi ka vazhduar mburrja se Kosovës arritën t’ia anulojnë edhe një njohje, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe pse nuk kanë treguar nëse u ka ardhur qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Liberisë, përmes së cilës konfirmohet se nuk ka ndodhur anulimi, në MPJ kanë thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Liberi.

“Siç edhe kemi njoftuar dje nëpërmjet komunikatës për media nuk ka asnjë ndryshim apo lëvizje qëndrimi nga ai i mëparshëm, respektivisht njohjes nga Liberia. Përkundrazi, Kosova së shpejti do të ketë një ambasador jorezident në Liberi, i cili tashmë ka marrë akreditimin e autoriteteve të këtij shteti”, janë përgjigjur nga divizioni për komunikim publik në MPJ. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Liberisë dhe ky vend mbetet mbështetës i palëkundur i pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të plotë dhe të barabartë të vendit tonë në organizatat ndërkombëtare”.

Por një ditë pas publikimit të notës verbale përmes së cilës anulohet njohja e Kosovës nga Liberia, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkoviq është takuar me ministrin e Jashtëm të këtij shteti, Gbezongaro Miltono Findli, të cilin e ka falënderuar për vendimin. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)