Vdes Xhafer Ahmeti, diplomati i Kosovës në Mal të Zi

Vdes Xhafer Ahmeti, diplomati i Kosovës në Mal të Zi

21 qershor 2018 22:30

Ka vdekur Xhafer Ahmeti, diplomat i Kosovës në Mal të zi dhe drejtor i protokollit të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh mësova lajmin e keq për vdekjen e tashmë të ndjerit, Xhafer Ahmeti, diplomatit të Kosovës në Mal të Zi dhe për shumë vjet Drejtor i Protokollit të Shtetit. Kontributi i tij në MPJ, si njëri nga diplomatët e parë pas pavarësisë do të mbahet mend gjatë. Ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe miqve të Xhaferit!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.


Për ndarjen nga jeta, ka shkruar edhe Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministri i Kosovës.

“Thellësisht i shokuar për ndarjen nga jeta të mikut tim të afërt për më shumë se 30 vite, konsullit të Kosovës në Mal të Zi, Xhafer Ahmeti. Një njeri plot përkushtim, shpresë e optimizëm, dhe mbi të gjitha një mik vërtet i veçantë, virtyte për të cilat do të na mungojë shumë. Ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve. Së bashku, do ta ruajmë kujtimin e tij përgjithmonë!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.


Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ai ka qenë bashkëpunëtor dhe diplomat i dalluar në Kosovë.

“Më pikëlloi shumë lajmi për vdekjen e parakohshme të Xhafer Ahmetit. Ka qenë gjithmonë një bashkëpunëtor i mirë dhe i çmuar. Ishte një prej diplomatëve më të dalluar të Kosovës, me përplot energji për të punuar. Ngushëllime familjes Ahmeti, miqve dhe kolegëve të tij”, ka shkruar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme