Auditori çdo vit bën vërejtje për Ndërmarrjet me shumë punëtorë që i ka barrë Qeveria

21 qershor 2018 22:32

Çdo vit, Raporti i Auditorit jep vërejtje për pjesën dërrmuese të ndërmarrjeve publike për numrin e madh të punëtorëve.

Pos në formë të rregullt, ndërmarrjet publike marrin punëtorë edhe me kontrata mbi vepër.

Derisa edhe pagat i përcaktojnë përmes rregulloreve të brendshme, raporton KTV.

Megjithatë, mbijetesën arrijnë ta sigurojnë nga subvencionet dhe shpenzimet që ua kryen Ministria e Zhvillimit Ekonomik çdo vit.

Vetëm vitin e kaluar, tetë ndërmarrje publike kanë qenë buzë falimentimit po të mos kishte ndërhyrë qeveria për t’i ndarë 3 milionë euro.

Mbi 1 milion euro kanë shkuar vetëm te përmbaruesit si pasojë e moskryerjes së obligimeve, ndërsa pjesa tjetër për obligimet ndaj operatorëve ekonomikë, Administratës Tatimore të Kosovës dhe për vendimet gjyqësore.

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Hykmete Bajrami, thotë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik duhet ta ndalojë përcaktimin e pagave përmes rregulloreve.

Bajrami tregon se është planifikuar të ngritët ky shqetësim edhe në komision.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, përmes një përgjigjeje elektronike, kanë shpjeguar se në hartimin e Ligjit për Pagat pritet të përfshihen edhe ndryshimet e pagave të punëtorëve nëpër ndërmarrjet publike.

“Për ndërmarrjet publike apo shoqëritë tregtare, veprimtaria e të cilave është me humbje, ose që subvencionohen nga shteti, Qeveria e Kosovës, me propozimin e ministrit përkatës të linjës dhe ministrit të Financave, miraton, me akte të veçanta, nivelin e pagave dhe shtesave për performancën e punonjësve të tyre”, kanë thënë nga kabineti i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik.

Ndërmarrja me problemet më të mëdha është ajo e Ujësjellësit Rajonal Mitrovica, së cilës i janë dhënë 807 mijë euro, për mbulim të shpenzimeve në vitin e kaluar. Kjo ndërmarrje i ka 242 punëtorë.

Kompanisë “Pastrimi” në Ferizaj i janë ndarë 720 mijë euro, ndërsa Infrakosit rreth 600 mijë euro.

Pos tyre janë edhe katër ndërmarrje të tjera të cilat operojnë me humbje, duke mos pasur mundësi të mbulojnë as shpenzimet e veta.

Së fundi, vargut të këtyre ndërmarrjeve ka rrezik t’i shtohet Postë Telekomi i Kosovës, që po ashtu vazhdimisht është kritikuar për mbipunësim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme