Ramadani thotë se financimi i RTK-së përmes KEDS-it është i padrejtë

Ramadani thotë se financimi i RTK-së përmes KEDS-it është i padrejtë

21 qershor 2018 17:47

Lëvizja Vetëvendosje përsëri ka shprehur shqetësim në lidhje me projektligjin e ri për RTK-në.

Valon Ramadani, nga kjo parti, ka thënë se në mbledhjen e komisionit që u mbajt për këtë projektligj, s’u lejuan as mediat, as shoqëritë civile e as organizatat që monitorojnë punën në Kuvend. Ai në Express intervistën në KTV, foli për shumë probleme që ka në RTK, duke përfshirë edhe menaxhimin.

“Për VV është e papranueshme projektligji i ri për RTK-në. E kanë hartuar por ka pas shumë probleme. Ka shumë nene që s’i pranojmë. Kapitulli i financimit, është më problemi më i madh për ne”, tha ai, transmeton Koha.net.

“Një problem tepër i madh është skema e financimit të RTK-së siç parashihet në këtë projektligj. Anëtarët e grupit punues të komisionit kanë vendosur pagesën me 2.5 euro në muaj për çdo subjekt fizik dhe juridik. Po ashtu, kanë vendosur që këto të ardhura të bëhen përmes kompanisë private KEDS”, tha Ramadani.

“Kemi qenë kundër por s’kemi arritur ta bëjmë si duam ne. Kemi kërkuar që ky grup punues të ketë anëtar të jashtëm ose ekspert ekonomik, financiar, sepse në pyetje është financimi i RTK-së, që të dalë nga kriza që është”, tha tutje ai.

Ramadani tha se edhe puna se s’i do të bëhet inkasimi është problem.

“Në ligj thuhet se të bëhet nga KEDS-i. Unë kam pyetur sa do të jetë provizioni. 50 cent shkojnë për KEDS. Rreth 200 mijë euro në muajt shkojnë për KEDS-in pra nga qytetarët”, ka thënë ai, duke shtuar se bordi i RTK-së ia ka dhënë këtë shifër atij.

Para se të caktohet vlera për inkasim, ai ka përmendur probleme të mëdha në RTK, duke thënë se “gjysma e punëtorëve nuk e dinë as çka punojnë”.

“Ne kemi kërkuar auditim total të RTK-së”, tha ai.

Ramadani ka thënë se duhet të dihet publikisht se kush do ta paguajë RTK-në. Ai ka thënë se s’është e drejtë që çdo subjekt, edhe ato që e kanë një orë elektrike ose dy, të paguajnë RTK-në.

Televizioni publik, tha Ramadani, është televizion që paguhet nga qytetarët, mirëpo, ka probleme të shumta në RTK sa i përket menaxhimit. “Ka edhe forma tjera që RTK mbledh para, psh nga reklamat. Nuk ka mundësi që ne t’ia bëjmë buxhetin 15 milionë euro, për një televizion që nuk ka programe, s’ka as programe edukative”, tha ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme