Arbëri

Limaj gjuajtjet me armë në odë i arsyeton me gëzimin nga lirimi

00:25 - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj nga gëzimi që kishte përjetuar kur u shpall i pafajshëm në rastin “Kleçka”, ishte i gatshëm të gjuante, siç ka thënë me armë gazi, së bashku me Dardan Gashin e Endrit Shalën.

Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, Limaj ka thënë se nuk mund të flas pasi këtë ia ka lënë gjykatës, por ka thënë se në odën e tij është gjuajtur me armë gazi.

“Është duke folur gjykata dhe ia lë gjykatës. Është gjuajtur me armë të gazit. Ka qenë një gëzim pas 10 vjetësh shpifje pandërprerë. Ka pasur arsye për gëzim edhe unë kisha gjuajtur me ato armë”, ka thënë Limaj.


Limaj akuzon ish-qeveritë për 53 milionëshin e Bechtel & Enkas

00:14 - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka akuzuar ish-qeveritë e vendit për keqmenaxhim dhe kontratë të dobët, që, sipas tij, shpien në pagesë shtesë autostradën “Arbën Xhaferi”.

Qeveria e Kosovës vendosi javë më parë të paguajë 53 milionë euro shtesë për Bechtel & Enkan për shkak të vonesës së pagesave, ndërsa Limaj për këtë ka thënë se duhet patjetër dikush të japë përgjegjësi.

Fillimisht ka kritikuar qeverinë “Thaçi 2” për “kontratë të dobët”.

“Kur është ndërtuar autostrada ‘Ibrahim Rugova’ e kemi bërë një kontratë ku në gjithë autostradën s’është paguar asnjë cent penalti dhe ka kushtuar në total 690 milionë euro. Pse? Sepse e kemi negociuar katër muaj kontratën. Në kontratë u kemi thënë puna bëhet segment për segment, e nëse s’kemi para ndërpritet puna. Një segment mbyllet e Bechteli s’ka pas të drejtë të niste punën për segmentin e dytë, pa miratimin e qeverisë. Nga një segment në tjetrin, Bechteli ka mundur të nisë punën vetëm nëse e ka ble qeveria. Pse? Sepse nëse qeveria s’ka buxhet pse të penalizohej. Këndej nuk e di si ka qenë kontrata. Por siç duket s’e kanë bërë me këtë kërkesë. Ata që e kanë nënshkruar nuk e kanë pasur këtë siguresë. Bechtelin nuk mundesh me e përcjellë me para. E vetmja mënyrë ka qenë të jesh i kujdesshëm me kontratë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se në kontratën për Rrugën e Kombit, është paraparë se nëse Bechtel & Enka nuk do të kryente punët në afat, kompania duhej t’i paguante Kosovës 140 mijë euro për një ditë vonesë.

Sa i përket qeverisë së Isa Mustafës, Limaj ka thënë se në këtë kohë është bërë keqmenaxhim me autostradën për shkak se “janë nisur projekte tjera pa pasur para”. Ai ka shtuar se qeveria Mustafa ka hapur edhe 150 projekte të rrugës, teksa ka vonuar pagesat për autostradë.

“Për mendimin tim është bërë për shkak të keqmenaxhimit. Sot Kosova i ka ato dënime për shkak të keqmenaxhimit. Keqmenaxhimi i implementimit të projektit. I ke hy kontratës nuk mund të luash me të. Duhet të zbatohet. Për shkak të mospagesës ka ndërprerë punën, kostoja ecën. Ka thënë çdo ditë që më vonon kaq kushton. Kush i ka fajet për keqmenaxhim? Njësia mbikëqyrëse, buxheti, sekretari, ministri i Transportit apo ministri i Financave. Nëse njësia i ka dërguar pagesat në drejtim të ministrisë e drejtoria e buxhetit ka neglizhuar faji mbetet aty. Nëse më pas kanë shkuar te ministria e Financave, atëherë aty janë bllokuar dhe aty është faji. Sot duhet të diskutohet se kush ia ka shkaktuar dëmin Kosovës. Bëhet fjalë për keqmenaxhim. S’ka dilemë që është e qeverisë së kaluar. Duhet të dihet në detaje se si ka shkuar gjithçka”, ka shtuar Limaj.

Limaj ka ripërsëritur qëndrimin e qeverisë se nëse nuk do të paguheshin 53 milionë euro, Kosova do të duhej të paguante edhe më shumë në rast gjyqi me kompanitë.


Limaj thotë se Haradinaj nuk ka shkelur ligje kur ka rritur pagën e vet

Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër i Kosovës, në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se shefi i tij, Ramush Haradinaj ka marrë vendim të ligjshëm kur ka vendosur të dyfishojë pagën e tij në 2950 euro.

Limaj ka thënë se mungesa e ligjit për pagat ka mundësuar që qeveria të marrë këtë vendim për rritje pagash, por ka kërkuar që të krijohet ligji që i përshtatet gjendjes së Kosovës.

“Nëse do të ishte paga më e lartë në Kosovë 2900 euro do të thosha se është e lartë, por kur shohim drejtues të agjensioneve me 4 mijë e 5 mijë euro pagë, do të duhej të uleshin ekspertët dhe të shikonin gjendjen. Sa agjencione janë në Kosovë. Janë me dhjetëra agjencione, prej atyre të ujërave, higjienës e bërllokut. Është vendim që e ka marrë qeveria e Kosovës, është vendim legjitim. Nuk mund të kontestoni vendimin e qeverisë nëse nuk e sheh ligji ndryshe”, ka thënë Limaj.

“Te shërbyesit civilë është një rregull për paga. Nuk ka ligj për parlament, nuk ka për presidencën, nuk ka për kryetarin e Kuvendit. Duhet sa më shpejt që të rregullojmë ligjin e pagave. Ligjin për qeverinë sepse është diskutuar edhe numri i madh i ministrive e zëvendësministrave”, ka thënë veç të tjerash ai.


Limaj mohon se ka grupe brenda qeverisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka mohuar raportimet se qeveria e tij është e ndarë në grupe të caktuara.

Ai ka thënë të mos ketë parë ndonjë shpërndarje të qeverisë në grupe dhe që zhvillohen politika të kundërta me programin e qeverisë.

“Cili është vendimi i veçantë që është marrë jashtë qeverisë së Kosovës. Çka ka dalë jashtë planeve të qeverisë. Ka shpërndarje të qeverisë në grupe kur të zhvillohen politika të kundërta në kundërshtim me programin e qeverisë. Ne e kemi bërë një program si koalicion, atë program e ka votuar parlamenti dhe sot secili ministër përpiqet t’i kryejë detyrat e veta. Nuk kam parë asnjë ministër që ka dalë kundër politikave të kryeministrit”, ka thënë Limaj.


Limaj: Të dielën vetëm takim i radhës i Thaçit me Vuçiqin, për finalen vendos parlamenti

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën në të ashtuquajturën finale të bisedimeve me Serbinë.

Duke folur për takimin e thirrur nga BE-ja mes presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq, Limaj ka thënë se të dielën do të jetë vetëm një takim i radhës së presidentëve dhe se nuk do të flitet për finalen mes dy vendeve.

“Jemi të interesuar që të ndërtojmë një konsensus më të gjerë për finalen. Duhet të jemi serioz dhe të jemi të përgjegjshëm para situatës në të cilën gjendemi. Të jemi më të bashkuar rreth asaj që na pret. Tani është një qëndrim që e kemi bërë të qartë, ne duam një proces kredibil që reflekton besueshmëri dhe transparencë. Grupet e parlamentit duhej të ishin të angazhuara në procesin final e posaçërisht parlamenti. Duhet të marrim obligim që pika që mandatohet nga parlamenti, t’i referohet parlamentit dhe të implemetohet në tërësi”, ka thënë Limaj.

“Presidenti i Kosovës mund të takohet me secilin personalitet të rangut të tij, ne po flasim për një temë krejt tjetër. Nëse flasim për një çështje finale, ajo nuk është çështje e një individi. Ne po flasim për një marrëveshje mes dy shteteve. Është jetike ajo marrëveshje. Duhet t’i qasemi me seriozitet. E kaluara na ka treguar se aranzhmanet individuale kanë sjellë në vështirësi marrëveshjet e arritura.

Unë e shoh një takim të radhës mes Thaçit e Vuçiqit. Finalja duhet të shkojë përmes parlamentit. Thaçi nuk mund të shkojë të bëjë marrëveshje pa miratimin e forcave tjera. Nuk është çështje individuale. Në tryeza është parlamenti. Aty shprehet vullneti i qytetarëve të Kosovës. Duhet të jenë të përfshira të gjitha institucionet qendrore. Kështu dalim më të fuqishëm dhe të gatshëm për të marrë përgjegjësi”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se parlamenti nuk duhet të vendos se kush do të përfaqësojë Kosovën në finalen me Serbinë, por sipas tij, duhet të caktohen pikat që do të bisedohen.

“Parlamenti duhet të mandatojë pikat që duhet të negociohen. Nuk mund të përjashtohen presidenca, qeveria apo parlamenti. Askush nuk duhet të shkojë drejt përjashtimit, por duhet të shkojmë drejt unifikimit. Presidenca, qeveria dhe parlamenti duhet të marrin përgjegjësi dhe asnjëri nga këta institucione nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë”, ka thënë ai.


Limaj refuzon dekoratën nga Thaçi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka refuzuar dekoratën për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nga presidenti Hashim Thaçi.

Këtë e ka bërë, sepse sipas tij “s’ka kritere për dekorata”.

“Çështja e dekoratave është bërë bajate. Shteti duhet të ketë kritere rreth dekoratës. Dekorata ka një kuptim, duhet të jenë disa kritere. Përderisa nuk e kam marrë tregon që e kam refuzuar”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.