Arbëri

TIKA e Turqisë rinovon zyra të Radio Kosovës

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sot me një ceremoni filloi puna e “Rinovimit dhe Furnizimit të zyrave të redaksisë turke dhe të redaksive të komuniteteve si dhe të Zyrës së menaxhimit të Radio Kosovës, raporton Anadolu Agency.

Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç gjatë fjalës së saj në këtë ceremoni tha se realizimi i këtij projekti nga TIKA, e cila është njëra nga institucionet më të rëndësishme të Turqisë, ka një domethënie shumë të madhe.

Ajo bëri të ditur se sot fillon rinovimi dhe furnizimi i zyrave të redaksisë turke dhe të redaksive të komuniteteve në Radion e Kosovës. Kılıç tha se është shumë krenare për punën e TIKA-s jo vetëm në Kosovë por në gjithë rajonin e Ballkanit dhe botën, e cila vepron në kuadër të Kryeministrisë së Republikës së Turqisë.

“Unë zakonisht i kam cekur sektorët e arsimit dhe shëndetësisë si tregues të nivelit të zhvillimit të një shteti por sot jemi këtu që të ndihmojmë në zhvillimin e një tjetër sektori të rëndësishëm duke përmirësuar kushtet e punës edhe në sektorin e medias. Ne me të gjitha institucionet tona këtu me Ambasadën tonë, TIKA-n, Institutin 'Yunus Emre', me komunat dhe universitetet tona dëshirojmë që të shohim vetëm një gjë pra dëshirojmë që Kosova si një shtet mikë i yni dhe të gjitha komunitetet e saj të jenë të lumtura, të jetojnë në prosperitet dhe ta kenë një të ardhme të ndritshme”, tha Ambasadorja Kılıç.

Ndërsa Drejtori i Radio Kosovës (RTK), Azem Bujupi tha se është i kënaqur që ndër shumë projekte që ka realizuar TIKA, është zgjedhur edhe një institucion publik pra Radio Kosova dhe TIKA e ka mbështetë me një lloj donacioni për përmirësimin e kushteve të punës në këtë institucion.

“Jemi të vetëdijshëm që mediumi publik përballet me një financim jo të qëndrueshëm dhe ky donacion i ardhur nga TIKA është jashtë zakonisht i dobishëm për gjithë punonjësit e institucionit tonë ”, tha Bujupi.

Kurse, redaktorja përgjegjëse në programin e gjuhëve të komuniteteve në RTK, Amra Zejneli duke theksuar rëndësinë e nevojës së kushteve të mira teknologjike në këtë profesion tha se kjo mbështetje e TIKA-s arriti në duart e duhura.

Ajo bëri të ditur se ekipi prej 15 gazetarëve të gjuhëve të komuniteteve (turke, serbe, boshnjake, rome) në Radio Kosova 2 emiton 7 orë program në ditë por fatkeqësisht nuk kanë punuar në kushte edhe aq të kompletuara por sidoqoftë janë munduar që ta përmbushin misionin e shërbimit publik.

“Unë mendoj se kjo ndihmë nga TIKA është tejet e mirëseardhur dhe me anë të përmirësimit të kushteve të punës do të përmirësohet edhe kualiteti i transmetimit të programeve dhe informacioneve të përgjithshme për audiencën tonë”, tha Zejneli.

Në këtë ceremoni i pranishëm ishte edhe koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Necip Özay Özütok dhe shumë gazetarë dhe punonjës në sektorin e medias. Punimet në fjalë pritet të përfundojnë në fund të këtij muaji.