Arbëri

BERZH i gatshëm të mbështesë Kosovën në projekte të reja

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka takuar zëvendëspresidentin e BERZH-it, Alain Pilloux, të cilin e ka njoftuar për gjendjen makroekonomike në vend.

Sipas njoftimit, Hamza ka theksuar rëndësinë e sektorit privat si bartës të zhvillimit ekonomik në vend dhe “për këtë ka shprehur përkushtimin e MF-së për të implementuar reforma që do të stimulojnë prodhuesit dhe do të targetojnë eksportuesit për të ndryshuar bilancin tregtar në vend”.

“Sektori i shërbimeve ka një potencial për zhvillim të mëtutjeshëm dhe zvogëlim të deficitit tregtar”, thuhet në njoftim.

Sipas Hamzës, për Kosovën është jetike krijimi i kushteve për bizneset, si dhe ofrimi i qasjes në financim sa më kualitativ dhe me kushte sa më të volitshme.

Në anën tjetër, Pilloux ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur Kosovën me financimin e projekteve të ndryshme.

“Ai me këtë rast tha se që nga anëtarësimi i Kosovën në BERZH në vitin 2012, BERZH-i dhe Kosova kanë arritur marrëveshje të shumta për projekte të ndryshme në sektorin financiar, rrugor, hekurudhor dhe transport publik dhe pritet që në të ardhmen të ketë marrëveshje dhe bashkëpunim edhe për sektorë të tjerë”, thuhet në njoftim të MF-së.