Arbëri

8 vjet të Shqipërisë në NATO, përkrenarja e Skënderbeut në garnizonin “Skënderbej”

Në 8-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, të martën në një nga lulishtet e garnizonit “Skënderbej”, u vendos një skulpturë e përkrenares së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vepër e skulptorit Dhionis Dukoli, njoftoi Ministria shqiptare e Mbrojtjes.

Gjatë zbulimit të kësaj vepre arti, ishte e pranishme ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Dedë Prenga, autori i veprës, skulptori Dhionis Dukoli dhe ushtarakë e civilë që punojnë në këtë garnizon.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli u shpreh, se “vendosja e një vepre artistike, e cila është dhuruar nga një qytetar i nderuar, artist, i cili shprehu dëshirën që veprën e tij, përkrenaren e Skënderbeut, t’ia dhuronte Ministrisë së Mbrojtjes, veprim të cilin ne e mirëpritëm dhe me kënaqësi e vendosëm në një nga vendet më të dukshme brenda garnizonit “Skënderbej”.

“I nderuar z. Dhionis, unë ju falënderoj nga zemra për përkushtimin, për bujarinë që keni treguar për dhurimin e kësaj vepre. Shpresoj që vepra juaj ka vendin e duhur, piedestalin e së cilës ne kemi ngritur dhe unë besoj fort që ju bashkë me ne të kujtoni për vite të tëra mbas kësaj dite, që ne jo vetëm e kemi vendosur emrin dhe do të vazhdojë të rri këtu, por e kemi bërë këtë në një ditë të shënuar siç është 8-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, tha Kodheli, e cila i dorëzoi një certifikatë mirënjohje skulptorit Dukoli.

“Përkrenarja e Skënderbeut” është një vepër artistike e derdhur në beton dhe ka vlera monumentale. Ajo është e lartë 2.75 m, me një diametër prej 1.1 m dhe peshon afërsisht 1 ton.