Arbëri

Osmani: Zgjidhja e çështjes së emrit, shembull për rajonin se si duhen zgjidhur mosmarrëveshjet

Descriptive Text

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, gjatë vizitës së punës në Prishtinë, realizoi takim me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në takim u hapën tema rreth progresit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, në veçanti bashkëpunimi ndërkufitar, perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor në proceset eurointegruese, si dhe pritjet e samiteve të ardhshme të Bashkimit Evropian.

“Data e negociatave për Republikën e Maqedonisë, paraqet pikë kyçe për integrimet tona evropiane, por është edhe një përcaktues kryesor për perspektivat evropiane në tërë Ballkanin Perëndimor”, theksoi Osmani, duke shprehur kënaqësi se i gjithë rajoni dukshëm po vazhdon drejt Evropës dhe se ka perspektivë kredibile për progresin e vendeve.

“Mbyllëm çështjen komplekse ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, i cili paraqet sukses diplomatik ndërshtetëror që besoj se do ju imponohet si një mënyrë për t’i mbyllur çështjet e hapura mes vendeve fqinje në gjithë rajonin”, theksoi Osmani, duke shtuar se së bashku me implementimin e suksesshëm të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, demonstron në vepër pjekurinë dhe seriozitetin e Maqedonisë në raport me fqinjët e saj.

Ndërkaq, me rastin e arritjes së Marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë lidhur me emrin e ri të shtetit fqinj, presidenti Thaçi ka thënë se çdo lajm i mirë nga Maqedonia është lajm i mirë edhe për Kosovën.

“Kjo marrëveshje krijon klimë të mirë rajonale dhe hap perspektivë euroatlantike për shtetet e Ballkanit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Thaçi dhe zëvendëskryeministri Osmani kanë biseduar edhe për zhvillimet aktuale në Maqedoni, ku forcat politike shqiptare po luajnë rol pozitiv rreth avancimit të të drejtave politike dhe sociale.

Marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonisë konsiderohet më e rëndësishmja pas asaj të Ohrit.

Gjatë vizitës, Osmani do të realizojë takim edhe me Zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj, ku fokusi i bisedimeve do të jetë bashkëpunimi mes dy Qeverive.