Njohja dhe verifikimi i statusit të personave të dhunuar gjatë luftës

Njohja dhe verifikimi i statusit të personave të dhunuar gjatë luftës

19 qershor 2018 11:55

Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës është themeluar më 28 prill 2017.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale,në atë kohë, Arban Abrashi, kishte thënë se ky kompensim nuk do ta ofrojë drejtësinë e munguar, “por do të jetë një mbështetje modeste institucionale për këtë kategori të shoqërisë”.

Përgjegjësitë dhe detyrat kryesore të këtij komisioni qeveritar janë njohja dhe verifikimi i statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, siç parashihet në Ligjin nr. 04/l-172 dhe sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara me Rregulloren (QRK) Nr 22/2015 për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtar të Kosovës.

Për të përkrahur punën e Komisionit për procesin e aplikimit janë autorizuar katër OJQ të specializuara në punën me të mbijetuara: QKRMT, MEDIKA GJAKOVA, MEDIKA KOSOVA ,QPDG në Drenas. Në këtë proces, si përkrahje për punën e Komisionit janë edhe zyrtarët nga Departamenti i Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës.

Komisioni tashmë është funksional dhe operon në objektet e veta, ku ka filluar të shqyrtojë rastet e mbijetuarve dhe deri më 8.6.2018 ka pranuar 557 aplikacione në nivel vendi.

Prej tyre janë shqyrtuar dhe trajtuar nga Komisioni 218 lëndë, janë pranuar 113 raste ku u është njohur statusi i personave të dhunuar gjatë luftës, ndërsa 85 raste janë refuzuar, me të drejtë ankese.

Duke folur për procesin e aplikimit dhe vlerësimit deri më tani, Minire Balaj, kryetare e Komisionit, thotë: “Komisioni qeveritar brenda përgjegjësive dhe kompetencave që ka në pajtueshmëri me legjislacionin përkatës në fuqi, është duke e kryer punën profesionale me seriozitet dhe përkushtim maksimal me anëtarë profesionistë të fushës. Si fillim ka pasur sfida për shkak të ndjeshmërisë në trajtimin e rasteve dhe në përgjithësi të procesit, por procesi ka ecur shumë mirë”.

Duke treguar për masat e ndërmarra për të shmangur aplikimin e rremë, Balaj shpjegon se “deklarata, si dhe prezantimi i të dhënave dhe i dëshmive të rrejshme me qëllim të përfitimit të të drejtave ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi dhe sipas Kodit Penal”.

Balaj thekson se ka shumë nevojë për ndërgjegjësim publik dhe vëmendje të veçantë për këtë kategori të shoqërisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme