Arbëri

Fondacioni Jahjaga kundër stigmës ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale

Thelbi i përpjekjeve gjithëpërfshirëse lidhur për të mbijetuarat e dhunës seksulae të nderlidhur me konfliktin në Kosovë është themelimi i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës, më 7 mars 2014 , nga presidentja Atifete Jahjaga. Gjatë gjithë mandatit si presidente e vendit, pjesë të rëndësishme të agjendës së saj ajo ka pasur rehabilitimin e kësaj kategorie.

Duke vazhduar angazhimin e saj në këtë drejtim, ish-presidentja e Kosovës, ne mars 2018, ka themeluar Fondacionin Jahjaga, me qëllim që të ndihmojë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës për të luftuar stigmën me të cilën përballen në shoqëri. Fondacioni tani është duke implementuar projektin “Të luftuarit e stigmës ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, që mbështetet nga “UN Women” dhe UNDP, financuar nga BE-ja.

Sa ka qenë e vështirë ndërmarrja e veprimeve të para, për të sjellë çështjen e të mbijetuarave në agjendë të insitucioneve qendore?

Jahjaga: Siç ilustrojnë edhe diskutimet e para rreth kësaj çështjeje në Parlament, natyrisht se nuk ka qenë e lehtë të inicioj jo vetëm një proces për të mbrojtur të drejtat e një grupi të shoqërisë sonë, mirëpo edhe të filloj një diskutim dhe mobilizim të tërë publik e institucional që deri atëherë nuk kishte ndodhur. Kjo temë kishte mbetur në heshtje për më shumë se 15 vjet dhe së bashku me të kishin mbetur të paadresuara plagët, shqëtësimet, vuajtjet dhe të drejtat e cunguara të të mbijetuarave për një kohë kaq të gjatë. Duke e parë ketë gjendje,me gjithë vështirësitë, unë u përkushtova të filloj një ndryshim për të mbijetuarit—për t’iu dëshmuar se ato dhe ata nuk janë vetëm, se ne si shoqëri dhe institucione e njohim sakrificën e tyre dhe do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për trajtimin e tyre të barabartë, dhe do të luftojmë edhe më tutje për qasjen e tyre në drejtësi. Në këtë drejtim, institucionalizimi i tyre si kategori e veçantë ligjore ka qenë thelbësore, në mënyrë që këto gra e këta burra të fillojnë t’i realizojnë të drejtat e tyre.

Cili është angazhimi aktual i presidentes me Fondacionin Jahjaga lidhur me të mbijetuarat?

Jahjaga: Fondacioni Jahjaga është i angazhuar aktivisht në ndihmë të të mbijetuarave (dhe grupeve të tjera të margjinalizuara) në mënyrë që kjo kategori jo vetëm ta marrë përkrahjen e duhur nga institucionet dhe shoqëria jonë, por edhe të aftësohen që të pavarësohen dhe ta ndihmojnë vetveten. Në këtë aspekt Fondacioni mëton që të mbijetuarave t’u ofrojë ndihmë konkrete përmes projekteve që synojnë fuqizimin e tyre ekonomik, në mënyrë që ato të punësohen apo vetëpunësohen, luftimin e stigmës dhe paragjykimeve ndaj tyre, çuarjen përpara të kauzës së drejtësisë e cila do të ishte kompensimi i vërtetë moral i kësaj kategorie, njoftimin e të rinjve me mekanizmat e drejtësisë tranzicionale për dhunën seksuale në konflikt, dhe aktivitete të tjera që fuqizojnë këtë kategori.

Si mundet shoqëria dhe institucionet të shtojnë përkrahjen për të mbijetuarat?

Jahjaga: Secili prej nesh si individ ose si shoqëri mund të japë kontributin e tij/saj në përkrahje të të mbijetuarave, duke filluar nga qasja pozitive ndaj tyre dhe duke i parë ato si gra e si burra që kanë paguar një çmim shumë të lartë para dhe pas luftës. Duke qenë se që nga fillimi një ndër sfidat me të cilat jemi përballur për adresimin e kësaj çështjeje ka qenë luftimi i stigmës, qasja pozitive do të thotë shumë për të mbijetuarit, por edhe për ne si shoqëri që i përqafon të gjithë qytetarët pa dallim. Duhet ta kuptojmë se ato dhe ata kanë qenë cak i një fushate çnjerëzore që ka pasur synim dëmtimin fizik dhe psikologjik të tyre. Prandaj veçanërisht institucionet tona duhet të përkushtohen në vazhdimësi që të mbijetuarit të kenë trajtim dhe qasje të barabartë në shërbimet e caktuara sipas ligjit, dhe që e drejta dhe kërkesa e tyre e kahmotshme për qasje në drejtësi të fillojë më në fund të realizohet.