Arbëri

Turi “lobues-turistik” i burrave të Kuvendit

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, bashkë me një ekip prej disa deputetësh, ka nisur një turne nëpër shtetet e BE-së, turne ky i quajtur lobues e që ka për qëllim liberalizim vizash.

Në vizitën e parë të këtij ekipi në Austri, pjesë përbërëse e tij ishte edhe Teuta Rugova (LDK), përkrah Glauk Konjufcës (Vetëvendosje), Aida Dërgutit (PSD), Evgjeni Thaçi - Dragushës (PDK), Time Kadrijajt (AAK), Adem Hodzës (Lista Serbe) dhe Fikrim Damkës (6+), raporton KTV.

Ndërsa kësaj radhe, ekipi po qëndron në Francë ku kanë zhvilluar takim me presidentin e Asamblesë Kombëtare të Francës, François de Rugy, por në ekip vërehet një mungesë.

Në bazë të fotografive të dërguara në komunikatën e Kuvendit të Kosovës, shihen vetëm burrat e Kuvendit, dhe jo vetëm. Përveç kryetarit të Kuvendit, aty shihet edhe Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, përkrah Memli Krasniqit (PDK), Glauk Konjufcës (VV), Visar Ymerit (PSD), Albert Kinolli (PRBK) e Enver Hoti (Nisma).

Image

Pjesëmarrja e Teuta Rugovës në turneun e kaluar ishte kritikuar mjaft pasi që partia e saj, LDK-ja, kishte deklaruar haptazi se nuk do të merrte pjesë në këtë turne të cilin e quajti “turne turistik”.

“Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane. Si kryetar i partisë në koalicion, Kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës. Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare. Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së”, kishte thënë asokohe Avdullah Hoti.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ditë më parë i tha “Kohës Ditore” se kjo nismë ngre shumë pikëpyetje.

“Në parim, lobimi tek shtetet anëtare të BE-së është më se i nevojshëm kur vjen puna tek votimi për heqjen e vizave për zonën Schengen për qytetarët e Kosovës, sepse është pikërisht Këshilli i Ministrave që do ta thotë fjalën e fundit në këtë proces. Pra në përgjithësi, lobimi do të duhej të ishte shumë intensiv dhe sistematik”, ka thënë Murati. “Mirëpo, iniciativa e fundit ngre shumë pikëpyetje se si do të realizohet kjo kampanjë. E para, si do të përcaktohen shtetet ku do të lobohet? Nuk është fare e ditur nëse ky delegacion ka një agjendë të konkretizuar me shtetet dhe individët që do t’i takojë”.

Sipas Muratit, do të duhej të synoheshin shtetet të cilat mund të jenë problematike në votën pro Kosovës dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Si problematik ai e konsideron edhe faktin se nuk dihen modalitetet se kush do të flasë në emër të Kosovës në këto takime.

“Duhet synuar një ekip gjithëpërfshirës me të gjitha subjektet politike parlamentare, e assesi jo një listë deputetësh të cilët nuk delegohen nga subjektet e tyre apo janë thjesht preferencë e një subjekti të caktuar politik”.

Sipas Muratit, edhe koha në të cilën po zhvillohet ky tur lobimi është paksa problematike, pasi Kosova ende nuk ka marrë konfirmim zyrtar nga BE-ja se i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim. “Përderisa nuk ka një konfirmim të tillë, asnjë procedurë nuk do të fillojë në BE sa i përket heqjes së vizave për Kosovën. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm si shtet, të mos japim përshtypje të gabuara dhe të mos bëjmë dëm duke tentuar të bëjmë mirë”, ka përfunduar Murati.

Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetë të pozitës dhe opozitës, është takuar në Paris gjatë ditës së sotme edhe me kryetaren e Grupit të Miqësisë në Senatin francez, Marta de Cidrac.