Veriu rrezikon anëtarësimin e KOSTT-it në Rrjetin Evropian të operatorëve

07 mars 2018 09:16

Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut-KOSTT rrezikon anëtarësimin në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike me gjithë plotësimin e kushteve të përcaktuara, raporton KTV .

Rrezik i madh mbetet veriu i Kosovës, ku ky rrjet nuk ka qasje.

Ky operator, nga viti i kaluar, me vendim të ZRRE-së, ka përgjegjësinë për furnizim të veriut me rrymë dhe për shkak të devijimeve të energjisë në atë pjesë, ka marrë vërejtje nga shumë operatorë evropianë, përfshirë edhe nga ENTSOE-ja.

Zëvendësdrejtori i KOSTT-it Kadri Kadriuka thënë se 1 milionëshi i ndarë nga qeveria për mbulimin e shpenzimeve në veri i mbulon ato vetëm për një muaj.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë dhënë detaje shtesë, pos atyre që janë diskutuar në mbledhje të qeverisë, ku 1 milionëshi i është ndarë KOSTT-it nga rezerva e qeverisë dhe është vendim i përkohshëm.

Ekzekutivi ka thënë se është në pritje të zhbllokimit të marrëveshjes me palën serbe dhe për këtë çështje kryeministri është në konsultime me të gjitha palët.

Por, me këtë vendim nuk po pajtohet Avokati i Popullit. Ai po pret ndërhyrje nga Kuvendi, që u ka dhënë fuqi rekomandimeve të nxjerra nga ky institucion.

Kundër ndarjes së këtyre mjeteve ka reaguar edhe SBASHK-u. Deri në prill, është kërkuar që qeveria të gjejë një zgjidhje, por deri tash nuk ka pasur ndonjë lëvizje, ndërsa bordi i ZRRE-së vazhdon të mos kompletohet për shkak të dështimit të mbajtjes së seancave në mungesë të deputetëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme