Pesë vjet në dispozicion për regjistrimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

04 mars 2018 19:32

Rreth 80 persona kanë aplikuar brenda një muaji në Komisionin Qeveritar për pranimin dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës thonë se gjatë kësaj periudhe janë paraqitur 30 raste të reja, raporton KTV.

Drejtoresha e kësaj qendre, Feride Rushiti, duke e konsideruar këtë proces si shumë të ndjeshëm, tha se deri tash gjithçka ka shkuar mirë.

Sipas Rushitit, deri në fund të vitit 2018, për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit do të aplikojnë nga 1 mijë deri në 1 mijë e 200 persona.

I gjithë ky proces është planifikuar të zgjasë 5 vjet.

Aplikimi për njohjen dhe verifikim e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka filluar nga 5 shkurti.

Ndërkohë, në muajin nëntor të vitit të kaluar, Qeveria ka marrë vendim që pagesa mujore për këtë kategori të viktimave të luftës, të jetë rreth 230 euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme