Vetëvendosje e do Haradinajn në interpelancë për rrymën

04 mars 2018 19:07

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar përgjegjësi nga qeveria për zhvillimet në vitet e fundit në sektorin e energjisë.

Mungesa e energjisë elektrike, largimi i punëtorëve nga puna dhe fryrja e faturave është thënë se janë çështjet, për të cilat duhet dhënë përgjigje, raporton KTV.

Për këtë, deputetja e kësaj partia, Albulena Haxhiu, ka thënë se në ditën e hënë do të dorëzojnë kërkesën për interpelancë të kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Para gjashtë vjetësh na thoshin se do të ketë investime, që do të garantonin furnizim të pandërprerë dhe po ashtu u tha që nuk do të largohen punëtorët nga puna. 6 vjet pas po vërtetohet që të gjitha kanë qenë mashtrime. 6 vjet pas orët e ndërprerjes në tërë vendit nuk janë ndërprerë, po janë rritur”, ka thënë Haxhiu.

Për vazhdim të humbjeve teknike, si dhe vjedhjen e energjisë, Haxhiu ka thënë se duhet dhënë përgjegjësi penale.

Me privatizimin e Korporatës Energjetike të Kosovës, në vitin 2012 punëtorëve u është premtuar se nuk do të largohen nga puna.

Mirëpo, që nga ajo kohë, KEDS-i ka larguar nga puna më shumë se 200 punëtorë.

“40 punëtorë janë larguar me shantazhe, ndërsa 200 u është komunikuar vendimi për largim, çdo ditë përgatiten taktika për t’i larguar ata që kanë kontrata të përhershme”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa, nga Komiteti për Energjetikë, Naim Hoxha ka thënë se mungesa e energjisë nuk arsyetohet me problemet në pajisje.

Vetëvendosje gjithashtu ka përsëritur qëndrimin kundër projektit për Termocentralin “Kosova e Re”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Të ngjashme