Vashat e Kosovës synojnë fitoren ndaj Polonisë

Vashat e Kosovës synojnë fitoren ndaj Polonisë

28 shkurt 2017 12:26

Në paraditen e së martës futbollistet e përfaqësueses së Kosovës mbajtën seancën e dytë stërvitore, para përballjes me Poloninë në “Alanya Cup” që zhvillohet të mërkurën.

Përzgjedhësja e Kosovës, Afërditë Fazilija ka thënë se stërvitja e së martës ka shërbyer për të parë më mirë lojtaret që janë bashkuar për herë të parë me përfaqësuesen.

“Stërvitjet e sotme ka të bëjë me përgatitjet e ekipit me ushtrime për situatat në lojë. Intensiteti ishte më mesatar sepse kemi lojtare që ende nuk janë në nivelin e duhur të përgatitjes fizike”, ka thënë Fazlija.

“I bëmë disa elemente apo situata të lojës që kryesisht bëhen një ditë para lojës. Mirëpo stërvitja e sotme a shërbeu edhe për të parë sa më mirë lojtaret që për herë të parë janë bashkuar me ekipin. Kryesisht qëllimi i kësaj stërvitje është ushtrimi i situatave në lojë dhe përgatitja për ndeshjen e nesërme”, ka shtuar ajo.

Futbollistja Valentinë Limani ka thënë se përfaqësuesja e Kosovës do të befasojë me lojë në përballjen kundër Polonisë.

“Grupi na ka pritur mjaft mirë. Klima është e mirë dhe në ekip, ndërsa nesër besoj që do ta kemi edhe fatin në anën tonë dhe të arrijmë sukses. Jemi ekip i ri dhe besoj se do të befasojmë me lojë të mirë”, ka thënë Limani për FFK-në.

Marigonë Durguti ka thënë se përfaqësuesja do të mundohet që ta prezantojë Kosovën sa më mirë në “Alanya Cup”

“Besoj se kemi një atmosferë të mirë dhe në ndeshjen e nesërme do të tregojmë futboll cilësor si dhe do të tregojmë kulturë sportive që Kosova të prezantohet sa më mirë”, ka thënë Durguti.

“Ky është një grumbullim i mirëseardhur. Atmosfera në ekip është mjaft e mirë, nuk është hera e çarë që jam pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe besoj se nesër kemi me dhënë maksimumin për të arritur rezultat të mirë”, ka thënë Qendresa Krasniqi ndërsa Blertë Kaqiu ka shtuar: “Jemi duke përgatitur maksimalisht, bashkë me shtabin teknik për të arritur rezultate sa më të mira. Shpresoj se nesër do të jemi të kompozuara mirë kundër Polonisë dhe besojë e shpresojë se do të arrijmë rezultat pozitiv”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme