Ahmeti: Rruga nga Grandi deri tek Katedralja do të shndërrohet në shesh Foto: Koha / ilustrim

Ahmeti: Rruga nga Grandi deri tek Katedralja do të shndërrohet në shesh

05 shkurt 2018 20:07

Në lidhje me vendimin e fundit të Komunës, në bashkëpunim me institucionet shtetërore, për mbylljen e disa rrugëve të qendrës së kryeqytetit për qarkullim të veturave që u mendua se do të ndikonte në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ka nevojë që disa rrugë të mbyllen përgjithmonë.

“Do të mbyllet rruga nga Hotel Grandi deri tek rruga e Katedrales. Do të bëhet parku, nga fakulteti Filologjik deri në Katedrale, dhe nën të do të jetë parkingu kryesor i qytetit. Po ashtu, do të bëjmë dhe rrugë njëkatëshe, do të motivojmë qytetarët të përdorin transportin publik. Tashmë e përfundojmë shtegun primar të biçikletave dhe do të ndërtohen 6 parkingje për biçikleta”, deklaroi Ahmeti në “Puls” të KTV-së.


Ahmeti: Burimi kryesor i ndotjes së ajrit është KEK-u, pastaj ngrohja alternative dhe në fund trafiku

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka folur edhe për ndotjen e ajrit që ditëve të fundit kaloi çdo nivel të ndotjes.

Ai tha se burimi kryesor i ndotjes është KEK-u, ku, edhe pse në tri vitet e fundit janë investuar 50 milionë euro në filtra, Ahmeti tha se nuk po shihen rezultatet.

“Burimi i dytë i ndotjes janë ngrohja alternative, pra qymyri dhe druri. KEK-u i fal nga 8 tonë qymyr çdo punëtori, pra aty janë 5 mijë punëtorë. Shumica e tyre nuk nxehen me qymyr dhe e shesin në treg”, tha Ahmeti në “Puls” të KTV-së.

Ndërsa, sipas tij, trafiku është burimi i tretë i ndotjes së ajrit dhe theksoi se një problem i rëndësishëm në këtë aspekt, e që nuk po diskutohet fare, është se “një pjese të madhe të naftës po i shtohet sulfur”.

“Sulfuri ia rrit vëllimin naftës dhe e djeg më shpejt dhe pikën e djegies e ul më poshtë. Ne vërejmë se në disa lagje të kryeqytetit ka sasi të shtuar të dyoksidit të sulfurit në atmosferë. Për të zvogëluar ndotjen duhet që përmes zgjerimit të rrjetit të ngrohjes në shumicën e lagjeve të arrihet rrjeti i nxemjes qendrore tek çdo qytetar. Duhet të shtohet edhe një gyp i nxemjes qendrore që vjen nga Obiliqi për në Prishtinë që t’i kyçim 180 mijë banorë. Kjo merr kohë dhe nuk bëhet menjëherë”, u shpreh kreu i Komunës së Prishtinës.


Ahmeti: VV s’e ka më gjasën historike të bëjë ndryshimin e madh

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, nuk ka pranuar të deklarohet nëse do të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje me grupin e të pakënaqurve.

Ahmeti, në “Puls” të KTV-së, tha se nuk është pishman për asnjë ditë angazhim në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Asnjë ditë pishman nuk jam për punën dhe veprimtarinë në VV. Kemi bërë punë të mrekullueshme. VV është subjekti politik që e ka pas, e që nuk jam i sigurt që e ka më, gjasën historike të bëjë një ndryshim të madh. Problemi ka filluar në vitin 2016, në shtator, unë e kam marrë vesh në vitin 2017 për këto probleme. Problem është se a ka pas partia sistem të mjaftueshëm të menaxhojë mospajtimet brenda forumeve”, u shpreh ai.


Ahmeti: Ligji i Prishtinës zgjidh shumë çështje – aktualisht kryeqyteti ka vetëm 20 policë të trafikut

Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, në “Puls” të KTV-së, ka folur edhe për Ligjin për Prishtinën.

Ai tha se me këtë Ligj, “Prishtina e ka statusin e kryeqytetit të Republikës së Kosovës, shtohet buxheti diku 4% e grantit të përgjithshëm, e ka të drejtën e themelimit të ndërmarrjeve publike pa leje të qeverisë, spitali i qytetit, po ashtu edhe policia komunale e cila po diskutohet shumë ditëve të fundit”.

“Kryeqyteti duhet ta ketë në dispozicion një forcë policore e cila merret vetëm me kryeqytet, i ndihmon në rend dhe rregull. Policia e Kosovës është frikësuar se po ndryshon zinxhiri komandues sepse kanë menduar që po krijohet një polici e veçantë. Ja pse duhet ta kemi policinë e kryeqytetit. Sot, po deshëm të intervenojmë për një ndërtim pa leje, ne duhet t’i tregojmë policisë 72 orë përpara për të na ardhur në ndihmë. Nëse presim 72 orë, një kat i tërë ndërtohet, pastaj rregullimin e trafikut. Sot Prishtina i ka 20 policë që merren me rregullimin e trafikut. Me ligjin e ri, ne si Kuvend Komunal, japim dy emra për komandat të policisë së Prishtinës, pastaj policia e zgjedh njërin nga ta. Neve ende na konsiderojnë komunë sikur Mamusha që ka 3 mijë banorë, kurse Prishtina i ka mbi 350 mijë banorë. Ne sot nuk kemi taksë të fjetjes ku hoteli duhet t’ia paguaj 1 euro për çdo turist komunës. Po ashtu, edhe Pallati i Rinisë do t’i kalojë Komunës së Prishtinës”, u shpreh kreu i kryeqytetit.


Ahmeti: S’ka shpresë për përafrim të grupeve në VV

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se problemet me të cilat po përballet Lëvizja Vetëvendosje, i kanë zhgënjyer qytetarët.

“Kur jemi tek Lëvizja Vetëvendosje, unë jam befasuar edhe vet se çka po ndodhë brenda VV-së. Situata është këtu ku është, nuk mund t’ju gënjej as t’ju jap optimizëm që gjërat do të bëhen mirë sepse gjendja është jo e mirë. Për ato se çka kam parë dhe dëgjuar, nuk tregojnë për ndonjë përafrim të të dyja palëve. Kjo nuk do të ishte mirë të vazhdojë edhe më gjatë si njëfarë storie e prolonguar, sepse po vërehet edhe një zhgënjim i qytetarëve, me të drejtë, me atë që po ndodhë në VV. Në qoftë se palët nuk pajtohen do të ishte mirë që secila palë të vazhdojë tutje”, u shpreh kreu i Komunës, Ahmeti, në “Puls” të KTV-së.

Ahmeti nuk pranoi të deklarohet se kah do të rreshtohet në rast se vjen edhe zyrtarisht deri tek ndarja e VV-së.

“Se a do të qëndroj në VV... unë po pres se nuk e kam të qartë se çka po ndodhë në VV. Arsyeja pse kam hyrë në VV ka qenë bashkimi për ta mundur të keqen, pra nga të gjitha forcat”, deklaroi Ahmeti.

“Nuk e di se çka do të ndodhë. Unë nuk mund të ndërroj mendim dhe qëndrim për asnjërin prej shokëve të mi që kam pas dhe kam në VV. Unë nuk kam njohur njerëz më të afërt në politikë se sa Albinin, Visarin dhe Dardanin. Kur dolën këto në publik isha kritik për krejt këto që dolën, unë nuk isha i përfshirë me asnjërën palë prandaj unë i kam qëndrimet dhe besimet e mia politike që do t’i shtyj pa marrë parasysh ku jam ku do të jem”, tha Ahmeti.


Ahmeti: Kemi shumicën në Kuvend, do të funksionojmë si Komunë

Sonte në emisionin “Puls” të KTV-së, i ftuar ishte Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, i cili foli gjerë e gjatë për gjendjen në Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe në Komunën e Prishtinës.

Ahmeti tha se arsyeja kryesore që ka fituar me rezultat shumë të ngushtë për të parin e Prishtinës, ishte “bashkimi i të gjitha partive kundër meje”.

“U bënë bashkë disa subjekte politike pra ato që janë sot në koalicion sot në qeverisjen qendrore”, tha Ahmeti.

“Ne sot në komunën e Prishtinës jemi në koalicion me AKR-në, AAK-në dhe Lëvizjen për Bashkim. Tashmë janë votuar të gjitha aksionarët në Kuvendin Komunal, për herë të parë do t’i kemi nën menaxhim kompanitë publike. Tash e kemi shumicën në Kuvendin Komunal, i kemi 7 ndërmarrje publike nën menaxhim që do të thotë se do të funksionojmë si komunë”, theksoi ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme