“Forbes”: Jeff Bezos më i pasuri në botë, kalon Bill Gatesin

“Forbes”: Jeff Bezos më i pasuri në botë, kalon Bill Gatesin

06 mars 2018 21:19

Numri një i “Amazon”, Jeff Bezos është shpallur personi më i pasur në botë, duke rrëzuar kështu nga froni i klasifikimit të më të pasurve, themeluesin e “Microsoft”-it, Bill Gates.

Lajmi publikohet nga vet revista “Forbes”, që saktëson se falë një rritjeje prej 59% të vlerës së aksioneve të “Amazon” në 12 muajt e fundit, Bezos ka dyfishuar pasurinë e tij duke shkuar në 120 miliardë dollarë, kundrejt 90 miliardëve të Gates, transmeton tch.

Në klasifikimin e fundit të “Forbes”-it, Warren Buffet renditet i treti me 84 mld dollarë pasuri, ndërsa industrialisti francez, Bernard Arnault me familjen e tij zënë vendin e katërt, me plot 72 mld dollarë, të ndjekur nga shumë pranë nga Mark Zuckerberg, në të pestin, me 71 mld dollarë. Amancio Ortega, padroni i “Zara”-s zë vendin e gjashtë me 70 mld dollarë, i ndjekur nga manjati meksikan Carlos Slim, me 67.1 miliardë dollarë.

Mes 20 personave më të pasur në botë hyjnë edhe dy kinezë. Bëhet fjalë për Ma Huateng, shefin ekzekutiv të kolosit “Tencent”, i cili është më i pasuri i Azisë, por i 17-i në botë; si dhe themeluesi i “Alibaba”, Jack Ma.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump zbret në vendin e 766 në botë, krahasuar me të 544-tin që mbante në renditjen e parafundit të revistës prestigjioze. Pasuria e tij vlerësohet sot në 3.1 miliardë dollarë, plot 400 milionë më pak sesa një vit më parë.

Mes italianëve, i pari në listë është Giovanni Ferrero, pronar i markës që prodhon “Nutella”-n, që renditet në vendin e 37 me 23 mld dollarë. Në vendin e 45-të shihet Leonardo del Vecchio, me 21.2 mld dollarë, ndërsa Silvio Berlusconi ndodhet i 190-i në klasifikim, me 8 mld dollarë.

Sipas “Forbes”-it, vlera e aseteve të 2.208 më të pasurve të botës, nga 72 vende të ndryshme, shkon në total në 9.100 miliardë dollarë, plot 18% më shumë sesa viti i kaluar. Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të miliarderëve, me 585, të ndjekur nga Kina me 373. Jashtë kësaj liste, si për çudi, kanë mbetur 10 sauditët që përfshiheshin në renditje vitin e kaluar.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme