Fatos Kongoli i sëmurë rëndë

Fatos Kongoli i sëmurë rëndë

28 shkurt 2018 18:11

Shkrimtari i shquar shqiptar Fatos Kongoli është i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore, i diagnostikuar me "CA - rectum".

Për sëmundjen e shkrimtarit dhe nevojën për t'i dhënë gjak, ka njoftuar botuesi i tij Fatmir Toçi përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, raporton KTV.

Ai ka shkruar se gjatë dy muajve të fundit Kongoli u është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale në aparatin tretës në deuden.

Fatos Kongoli është një nga shkrimtarët më të vlerësuar shqiptar bashkëkohor. Autor i 15 librave, ku përveç një vëllimi me tregime dhe një libri gjysmë-autobiografik i cilësuar nga autori në nëntitull si "Pothuajse roman për vetëveten", të tjerët janë romane.

Kongoli u bë i njohur fillimisht me romanin "I humburi", i pari në një seri prej pesë romanesh që ai e ka quajtur "Burgjet e kujtesës".

Kryevepra e tij rëndom mbahet romani "Lëkura e qenit". Fatos Kongoli është 74 vjeç.

Në vitin 2011 mori çmimin “Rexhai Surroi” për romanin “Iluzione në sirtar”.

Për  romanet e tij ai është nderuar me shumë çmime si "Pena e artë", "Velia", "Ballkanika", si dhe është fitues i Çmimit francez "Kalorës i Legjionit të Nderit".

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme