Neziraj: Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar është politik

Neziraj: Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar është politik

27 shkurt 2018 21:10

Regjisori Jeton Neziraj në emisionin “Rubikon” të KTV-së është shprehur i bindur se këshilli drejtues për Teatrin Kombëtar është politik. Madje sipas tij brenda këtij Këshilli është shkelur edhe ligji përmes së cilit obligohet që anëtarët e këshillit të jenë të profesionalizuar në lëmin e teatrit.

“Pak rëndësi ka a është këshilli drejtues vegël e ministrisë apo jo. Pak respekt kam për disa prej tyre, aty fillimisht është cenuar një nen, neni 2 pika 5, ku thotë se këshilli drejtues duhet të ketë njerëz profesional nga lëmia e teatrit dhe aty ka persona që nuk janë. Ai është bord politik me njerëz që janë shti shokë të Ministrit me mbyll vrima”, ka thënë Neziraj.

Neziraj përmendi edhe “Shfaqjen e fundit të Marie Gjonit”. Sipas tij, kjo shfaqje u pengua ndonëse ndoshta jo drejtpërdrejt ministrit të Kulturës, por u ka penguar siç tha ai, “shefave” tjerë dhe në këtë mënyrë e ka parandaluar një të keqe që mund të ndodhte.

Përball tij, shefja e kabinetit të ministrit Kujtim Gashi, i kujtoi se vetë Neziraj ishte pjesë e këtij Këshilli.

“Aty ku jeni ju ka vlera artistike dhe jo emërime politike ndërsa ku s’jeni ju ka emërime politike dhe jo vlera artistike”, iu drejtua Shyti - Nezirajt.

Sipas saj, Neziraj po ashtu e shkeli ligjin duke qenë prezent me shfaqje në teatër para se të kaloj një vit nga koha kur ishte pjesë e Këshillit Drejtues, pasi sipas Shytit ligji nuk e lejon një gjë të tillë pa kaluar një vit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme