Drejtori i Teatrit Kombëtar akuzon për censurë, përmend edhe dramën e Surroit

Drejtori i Teatrit Kombëtar akuzon për censurë, përmend edhe dramën e Surroit

27 shkurt 2018 20:44

Repertori i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës po pengohet drejtpërdrejt nga politika. Kjo madje tash po thuhet edhe publikisht nga vetë drejtori, Agim Sopi.

Ai në një debat në emision Rubikon të KTV-së ka përmendur propagandën që iu bë shfaqjes “Bordel Ballkan”, njëherësh edhe largimin nga repertori i “Shfaqjes së fundit të Marie Gjonit” të shkruar nga publicisti Veton Surroi.

Ai vlerëson se “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” është një ndër dramat më të mira të shkruara në dramaturgjinë moderne shqiptare dhe se bordi e refuzoi për shkaqe politike.

“Rasti i tretë është shfaqja e Jeton Nezirajt ‘Bordel Ballkan’ për cilën është bërë një propagandë e madhe dhe rasti i fundit është shfaqja e fundit e Marie Gjonit, një ndër tekstet më të mira të kohës së fundit e cila po ashtu është larguar nga repertori për shkak të vendimeve politike”, ka thënë ai.

“Unë po ua them sepse asnjë rast nga këto që i kam përmendur nuk kemi pasur ndonjë refuzim të natyrës estetike. Ka qenë ekskluzivisht mendim i betonuar politik se duhet mbyllur goja e këtyre autorëve”, ka shtuar Sopi.

Këtë deklaratë të drejtorit të Teatrit Kombëtar e ka mohuar shefja e kabinetit të ministrit në Ministrinë e Kulturës, Jehona Shyti, e cila ka thënë se deklarata e Sopit është tendencioze dhe subjektive.

“Kur po e dëgjoj këtë fjalim po mendoj sikur po flet sikur për një shtet tjetër sepse akuzat janë të rënda dhe shumë tendencioze. Është e pandershme dhe e pasaktë të cilësohet si vendime politike për faktin se këto diskutime i kemi dëgjuar në media”, është përgjigjur Shyti.

Ndërsa regjisori, Fadil Hysaj njëherësh edhe profesor në Universitetin e Prishtinës tha se në raport me politikën, teatri doli fitimtar në vitet e 90-ta. Shqetësim i tij sot mbetet mungesa e siç thotë ai, komuniteti të konsoliduar brenda teatrit.

“Në vitet e 90-ta teatri ka arrit me sfidu politikën, jemi dëshmitar të kësaj... teatri tash nuk e ka komunitetin e konsolidum, unë personalisht nuk e di se si bëhet përzgjedhja e teksteve. E di se tash e tri vite unë i dërgoj dy tri tekste të cilat nuk i ka lexu askush, vetë më thonë më fal se ende nuk e kam lexu, nuk ka një dramaturg profesional”, ka thënë Hysaj.

“Ky bord nuk e ka asnjë dramaturg dhe përzgjedhja nuk është kredibile”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme