Filip David: Politikë skizofrene në Serbi

Filip David: Politikë skizofrene në Serbi

07 mars 2018 18:28

Letrari beogradas, esteti dhe dramaturgu Filip David, ka deklaruar se politika e kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq është skizofrene dhe se në Serbi kanë fituar forcat e ish -kryetarit të ish RF të Jugosllavisë Slobodan Milosheviq, për të cilat, ka thënë ai, kishte besuar se janë pjesë e të kaluarës, transmeton Koha.net.

Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve në Beograd, David ka theksuar se Vuçiq pas këtyre zgjedhjeve ka marrë pushtetin absolut në Serbi.

„Opozita është shpartalluar! Ajo nuk ka më asnjë forcë, madje e ka të vështirë edhe ta kalojë censusin prej 10 për qind. Problemet u krijuan kur Vuçiq filloi politikën proeuropiane të disa partive të forta opozitare. Në këtë mes opozita serbe nuk u gjend“, ka thënë David për Radio Sarajevën, përcjell “danas”.

Sipas fjalëve të tij, problemi më i madh qëndron në faktin se është pikëpyetje e madhe se sa është e sinqertë politika proeuropiane e Vuqiçit.

Sepse, po shikuat se çfarë shkruajnë mediet që janë nën kontrollin e tij, ata tabloidë, televizione, Pink e të ngjashëm, të gjitha ato janë kundër Europës, ato të gjitha janë me orientim prorus, ka shtuar ai.

“Kështu ai sjell hutim të madh. Dikush që vështron nga anash, pyetet nëse vërtetë kjo është një politikë e sinqertë. Nëse mediet nën kontrollin e Vuçiqit zbatojnë politikën e tij, atëherë ajo politikë duhet të jetë proeuropiane”, ka thënë David.

Sipas mendimit të tij, kjo politikë e Vuçiqit është skizofrene. Kjo vërehet edhe tek opinioni serb.

Siç ka sqaruar ai, përkundër politikës proeuropiane të Vuçiqit, anketat tregojnë se vetëm 20 për qind e banorëve të Serbisë dëshirojnë të hyjnë në BE. Kështu, sipas Davidit, shtrohet pyetja se ç’rezultate do të sjellë referendumi nëse ai mbahet për këtë çështje.

„Është e qartë se ndihma financiare një ekonomie shumë të mjerë të Serbisë që po përpiqet të mëkëmbet, vjen nga Bashkimi Europian. Të gjitha financimet. Nga Rusia pak gjë nga kjo vjen. Kështu që janë disa arsye konkrete pse pushteti në Serbi thirret gjithnjë në BE, e nën tryezë punon për zgjidhje të tjera “, thekson David.

Ai është i brengosur me faktin se udhëheqja e Serbisë ka kontakte ose përkrahet nga qarqe djathtiste në Europë, të cilat siç treguan zgjedhjet italiane, gjithnjë e më shumë po forcohen që nga Hungaria, Franca e Çekia.

Duke folur për trendin që vende të fuqishme të BE-së favorizojnë Vuçqi derisa mbyllin sytë çfarë bën ai në Serbi e në Ballkan, David shton se Europa nuk ka zgjidhje tjetër.

„Ai është kryetar. Po i fiton bindshëm zgjedhjet . Politikanët europianë kanë besim në të sepse nuk kanë në kë tjetër. Kujtojeni historinë e Jugosllavisë në kohën e Milosheviqit”, ka thënë ai.

Sipas fjalëve të tij gjysma e qeverisë serbe janë fytyra nga vitet e 90 - ta për të cilat është menduar të kenë ikur përgjithmonë nga skena politike “.

Ai ka vërejtur se politika që Vuçiq e zhvillon ndaj B e H-së, duke e përkrahur Milorad Dodikun, është njëra nga gjërat që shkon kundër politikës proeuropine të udhëheqjes serbe.

„Ato marrëdhënie me Dodikun… E fundit është se Dodik erdhi dhe votoi në Beograd!? Kjo nuk është më dyfytyrësi, por tragjikomedi. Dhe e gjitha kjo shpie nga një politikë, mjaft konfuze , e cila përpiqet të gjendet atje ku ka më shumë dobi. Të marrë para anash. Arsyeja thotë merrni para nga BE e me zemër jemi të afërt me rusët, rusët janë aleatët tanë të vërtetë” ka përfunduar Filip David.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme