Bytyqi thotë se duhet punë e përbashkët për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare

Bytyqi thotë se duhet punë e përbashkët për përmirësimin e pozitës së gruas në shoqërinë kosovare

08 mars 2018 16:31

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se roli i gruas në çdo shoqëri është esencial për zhvillimin e familjes, që është bazë e shtetit.

Në konferencën e organizuar nga Universiteti i Prishtinës për 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me temën “Gratë në Universitetin e Prishtinës – mundësitë, përparësitë, e ardhmja”, Bytyqi ka thënë se e vlerëson lart kontributin e gruas edhe në zhvillimin e këtij universiteti, ndërsa shtoi se arsimimit të vajzave sot po i kushtohet më shumë rëndësi dhe se ato janë mësimdhënëse, dekane, shkencëtare.

Ai ka shtuar se në ministrinë që ai e udhëheq po punohet shumë që diskriminimi gjinor të zhduket prej teksteve shkollore dhe përmes kurrikulave të vetëdijesohen gjeneratat e reja.

“Sot kemi shumë vajza që studiojnë dhe tregojnë suksese në universitete me renome dhe na bëjnë të krenohemi me të arriturat e tyre”, tha ai.

Bytyqi theks të veçantë i vuri edhe përkushtimit shoqëror në përmirësimin e pozitës së gruas, duke kujtuar rrethanat e pafavorshme të të drejtave të gruas në të kaluarën.

“Një e drejtë elementare, e cila u fitua ndërkohë, ishte e drejta për arsimim. Edhe në vendin tonë, nuk mungoi asnjëherë angazhimi për të përmirësuar pozitën e gruas. Nuk ishte e lehtë, sepse fillimisht duhet të zhdukej analfabetizmi në shoqërinë tonë, dukuri që e kishte vështirësuar tej mase lirinë dhe veprimin e gruas”, tha ministri Bytyqi, ndërsa theksoi se tashmë situata ka ndryshuar për të mirë, por ende duhet punë e përbashkët për përmirësimin e pozitës së femrës në shoqërinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme