Në këto dhjetë vjet Kosova asnjëherë nuk ka qenë më keq se sot, thotë Hoti

Në këto dhjetë vjet Kosova asnjëherë nuk ka qenë më keq se sot, thotë Hoti

09 shkurt 2018 23:30

Hoti i quan spekulime e johumane lajmet për emërim të ushtruesit të detyrës së kryetarit të LDK-së

00:00 - Spekulime të ulëta e trillime për qëllime të caktuara i ka quajtur Avdullah Hoti, lajmet që thonë se në LDK do të emërohet një ushtrues detyre i kryetarit të LDK-së, në pamundësi që Isa Mustafa të kryejë detyrat.

“Ka pasur disa informata johumane për gjendjen e kryetarit Mustafa. Ai ka një trajtim mjekësor, mirëpo edhe unë si shef i Grupit Parlamentar edhe nënkryetarët e partisë jemi në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin Mustafa”, ka thënë Hoti në Interaktiv të KTV-së.

“Z. Mustafa nuk është fizikisht në Prishtinë dhe është çështje mjekësore se kur ai do të jetë këtu, por janë spekulime të ulëta, jo njerëzore ato për emërim të ushtruesit të detyrës së kryetarit”, ka thënë Hoti.


Hoti e quan të palogjikshme idenë e Ekipit të Unitetit

23:53 Shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti, ka thënë se është pozitiv fakti që në Bruksel do vendoset edhe për dialogun për Kosovën.

Hoti e ka quajtur të pakuptimtë idenë e presidentit Hashim Thaçi për krijimin e Ekipit të Unitetit për dialogun Kosovë-Serbi.

“Se sa jemi ne të përgatitur për procesin e dialogut, mendoj që s’ka platformë, e nuk ka as logjikë Ekipi i Unitetit. Deri tani kemi pasë vetëm takime të presidentit të Kosovës me atë të Serbisë”, tha Hoti në Interaktiv të KTV-së.

Ka thënë se në Serbi, presidenti ka kompetenca tjera duke krahasuar me atë në Kosovë.

“Ne kemi insistuar që dialogu të udhëhiqet nga Qeveria, por me platforma tjera. Megjithatë ai u bë kësisoj e udhëhiqet nga presidenti”.

Hoti tutje ka shtuar se qeveria e tanishme duhet të bie pasi sipas tij, s’ka kompetenca e nuk mund të shkojë tutje, e ka shtuar punët tjera duhet t’i lihen qeverisë së ardhshme.


Hoti komenton Strategjinë e BE-së për zgjerim në Ballkan

23:50 - Për të parin e deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, e mira në Strategjinë e BE-së për zgjerim në vendet e Ballkanit Perëndimor është se e përmend Kosovën si njërën prej vendeve potenciale për integrim.

“E mira është Kosova, me gjithë çështjet e hapura që ka me BE-në me vendet që nuk e kanë njohur, e rëndësishme është që Kosova përmendet si njëri prej vendeve potenciale për anëtarësim. Ani pse nuk përmenden afatet si për vendet tjera”, ka thënë Hoti, në Interaktiv të KTV-së.

Por për Hotin, shqetësuese është gjuha që përmend kjo strategji kur potencon, sipas tij, për herë të parë “krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha instancat e Qeverisë”

Hoti beson se kjo i atribuohet vetëm kësaj Qeverie.

“Sepse asnjëherë më parë nuk është përmendur një gjuhë e tillë. Në kohën e qeverisjes sonë pati sinjale të forta që Kosova ka përmbushur kushtin e luftimit të korrupsionit, na kishte mbetur vetëm demarkacionit”, ka thënë ai.


Hoti: Do ta votojmë demarkacionin, Qeveria të dorëhiqet pas votimit

23: 40 - Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në Interaktiv të KTV-së ka bërë të ditur se LDK-ja do ta votojë marrëveshjen e demarkacionit posa ajo të sillet në Kuvend, megjithatë ka kërkuar që Qeveria të japë dorëheqje.

Ai ka thënë se Qeveria nuk ka sjellë asgjë të re në marrëveshjen e demarkacionit, pasi edhe më parë ishte paraparë se ajo mund të rishikohej nga të dyja palët nëse do të kishte fakte.

“Shpresoj se edhe zoti Limaj e edhe partitë tjera do të reflektojnë pas izolimit e vendit. Marrëveshja që është arritur në vitin 2015 e ka në njërin prej neneve të saj që marrëveshja mund të rishikohet nëse paraqiten fakte të reja. Në nenin dy të ligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshje është një nen që thotë se në dhjetë vitet e ardhshme nëse ka fakte të reja se palët do të ulen të rishikojnë segmente të reja të vijës kufitare”, ka thënë Hoti.

Hoti ka akuzuar Qeverinë se e kishte shfrytëzuar kauzën e demarkacionit për të ardhë në pushtet.

“Iu bëj thirrje që ta sjellin marrëveshjen në Kuvend dhe ta ratifikojmë, të lirohemi, të hiqet izolimi që iu është bërë qytetarëve të Kosovës. Të dy palët (Kosova dhe Mali i Zi) ishin pajtuar se marrëveshja mund të rishikohej nëse ka fakte kredibile që i shtynë palët të rishikojnë. Kjo përpjekje e tyre e sjell në pah se ajo dhunë që kishin bërë atëherë ishte vetëm për të ardhur në pushtet. Ata duhet të kërkojnë falje qytetarëve që kanë përdorur rrejshëm këtë kauzë. Kostoja e liberalizimit është e paimagjinueshme. Qindra mijëra euro, miliona euro marrja e vizave të bizneseve pa i marrë parasysh pritjet e qytetarëve para ambasadave apo studentëve për të marrë një vizë për vizitë në vendet evropiane”, është shprehur Hoti.

Ai më tutje ka thënë se PDK-ja është përgjegjëse për izolimin e qytetarëve.

“Personalisht e mbaj përgjegjëse PDK-në për izolimin e qytetarëve në vend. Qeveria e kaluar është rrëzuar mbi këtë kauzë, se s’po ka fuqi për të kaluar kauza të mëdha. Kemi pritur që në Kuvend të sillet një marrëveshje e re në muajt e parë por kjo nuk ndodhi”, thotë ai.

Hoti ka konfirmuar se LDK-ja synon ta tejkalojë këtë qështje, megjithatë ka kërkuar që Qeveria të dorëhiqet pas votimit të demarkacionit.

“Jemi plotësisht të përkushtuar që sa më parë ta përmbyllim këtë çështje. Ftojmë koalicionin që ta sjellin marrëveshjen në Kuvend. Ne do ta votojmë atë sapo ajo të sillet në Kuvend. Por, pas votimit të demarkacionit atëherë diçka duhet të ndodhë dhe nuk ka rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të reja. Do ishte parimore nëse këta pranojnë publikisht që menjëherë pas votimit të demarkacionit të japin dorëheqje. Liderët duhet të ulen të merren vesh për zgjedhjet e ardhshme. Nëse nuk sigurohet votat për demarkacion nuk ka kuptim që të vazhdojë koalicioni qeverisës”, është shprehur ai.


Në këto dhjetë vjet Kosova asnjëherë nuk ka qenë më keq se sot, thotë Hoti

Shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka treguar në Interaktiv të KTV-së, se ideja e konferencave të së premtes në mesditë është që të krijohet një kulturë tjetër të bërjes së opozitës, duke u kthyer te një traditë e gjatë që e ka pasur LDK-ja gjatë viteve të 90-ta duke informuar qytetarët çdo të premte.

“E çdo të premte grupi jonë parlamentar do të dalë në konferencë për shtyp për të treguar për zhvillimet politike në vend dhe punën që po bën në Kuvendin e Kosovës, të bërit opozitë që tash është një model krejt tjetër nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe sfidat që kemi çdo ditë qe kemi në seancat e Kuvendit”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se “tash nuk jemi në gjendjen e viteve të 90-ta megjithatë gjendja është mjaft e keqe dhe janë dëmtuar mjaft shumë institucionet e vendit dhe imazhi i shtetit të ri të Kosovës”.

“Dhe ne duhet të punojmë që qytetarët të jenë të informuar plotësisht nga këto zhvillime që po ndodhin dhe të kërkojmë mbështetje më të madhe qytetare që në zgjedhjet e ardhshme, që besoj se do të mbahen së shpejti, të marrim mbështetjen e nevojshme për të krijuar institucione stabile, sepse vendit i duhen institucione stabile të ndërtuara mbi një vizion të qartë për të ardhmen evropiane të Kosovës, dhe jo institucione që krijohen për interesa të ngushta të partive që përbëjnë koalicionin”, ka thënë Hoti.

Hoti ka shprehur bindjen se Kosova kurrë në këto dhjetë vitet e fundit nuk ka qenë më keq si shtet i ri.

“Nuk kemi qenë asnjëherë më të izoluar. E kemi kryeministrin e vendit i cili diskutohet a i lëshohet viza apo jo dhe është ngjarje për Qeverinë kur kryeministrit i lëshohet viza. Nuk ka asnjë personalitet të rëndësishëm që viziton Kosovën, ndërmerren veprime që e izolojnë Kosovën dhe që i shtyjnë vendet mike, BE-në në veçanti dhe SHBA-në që të konsiderojnë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës. Natyrisht kemi pasur probleme, por jo të tilla që ne vetë ta izolojmë Kosovën”, ka thënë Hoti.

Hoti ka folur edhe për seriozitetin e çështjes së idesë së zhbërjes së Speciales.

“Vet tre liderët e vendit tash po e dokumentojnë me tërheqjen mbrapa edhe rrezikun që mund t’i vije Kosovës nga shfuqizimi i atij ligji dhe kthimi në fuqi të rezolutës 1244, izolimit të plotë të Kosovës nga partnerët ndërkombëtarë. Tash u tërhoqën nga ajo nismë, megjithëse duhet të thuhet se nuk është fare kredibile”, ka thënë Hoti, ndonëse nuk beson se janë tërhequr plotësisht.

“Aspak nuk besoj se janë tërhequr plotësisht, kur ta zëmë kryeministri që i ka deputetët e tij në Kuvend janë ende nënshkrues të kësaj nisme, ose kryetari i Kuvendit që ka disa deputetë që ende janë nënshkrues. Kridibile do të ishte vetëm nëse këta të tre do i tërhiqnin këta deputetë nga kjo iniciativë, ndryshe është vetëm shtyrje e problemit për një ditë tjetër”, ka thënë ai.

Hoti ka thënë secili prej zyrtarë të lartë të SHBA-së e kanë bërë të qartë që Kosova do ta ketë mbështetjen në rast se qëndron në rrugën e trasuar bashkërisht.

“Nuk guxojmë të rrezikojmë miqësinë që kemi ndërtuar. Edhe vet Pavarësia është krijuar në bashkëpunim me ta, dhe kemi vetëm dy rrugë në këtë aspekt ose atë të Perëndimit dhe SHBA-së ose atë të Lindjes e Rusisë”, ka thënë Hoti, përcjell Koha.net.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme