Dialogu Kosovë - Serbi nuk ndikon në normalizimin e marrëdhënieve, gjen QKSS

Dialogu Kosovë - Serbi nuk ndikon në normalizimin e marrëdhënieve, gjen QKSS

09 shkurt 2018 22:59

Një studim i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, nxjerr në pah se shumica e qytetarëve të anketuar pohojnë se bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk ushtrojnë ndikim në normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa e kanë vlerësuar të dëmshme marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Rezultatet janë përmbledhur në një edicion të posaçëm të "Barometrit të Sigurisë", në të cilin qendra ka përmbledhur qëndrimet e opinionit publik për politikën e jashtme dhe bisedimet me Serbinë.

Donika Emini nga kjo qendër thotë se vlerësimet e tilla janë rrjedhojë e tensioneve politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Shumica dërrmuese e të anketuarve, 58 për qind e të anketuarve shqiptarë dhe 61 për qind e atyre serbë, pohuan se marrëveshjet e arritura në Bruksel nuk kanë asnjë̈ ndikim në normalizimin e marrëdhënieve. Rreth 73 për qind e të anketuarve besojnë̈ se marrëveshja e Asociacionit është shumë e dëmshme dhe do të ketë ndikim domethënës në funksionimin e brendshëm të Kosovës. Është e domosdoshme të përmendet se një përqindje shumë e kufizuar e të anketuarve serbë, rreth gjashtë për qind, besojnë se Asociacioni do të ketë̈ ndikim negativ në Kosovë”, tha ajo.

Raporti po ashtu nxjerrë në pah dallime edhe tek opinionet e të anketuarve lidhur me përfitimet e palëve nga bisedimet.

“Rreth 48 për qind e të anketuarve shqiptarë besojnë se Serbia po përfiton më shumë se Kosova, duke iu referuar kryesisht perspektivës së anëtarësimit të Serbië në Bashkimin Evropian, e cila kryeson procesin e integrimit në BE. Nga ana tjetër, rreth 29 për qind e të anketuarve serbë besojnë se Kosova po përfiton më shumë se Serbia”, tha zonja Emini.

Sipas, zonjës Emini, 90 për qind e qytetarëve shqiptarë të Kosovës vazhdojnë ta llogarisin Serbinë si një nga kërcënimet më të mëdha të jashtme për sigurinë e Kosovës.

Raporti nxjerrë në pah se Shtetet e Bashkuara të Amerikës shihen si shumë miqësore ndaj Kosovës dhe si një nga aleatët dhe partnerët strategjikë më të mëdhenj të Kosovës. Ndërkaq, qasja e Rusisë ndaj Kosovës konsiderohet si shumë armiqësore.

Sipas raportit, 93.6 për qind e të anketuarve besojnë se Kosova duhet të anëtaresohet në Bashkim Evropian.

Komisioni Evropian shpalli gjatë javës strategjinë e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor që hap dyert për integrimin e rajonit. Serbia bashkë me Malin e Zi shihen si të parat që mund të përfitojnë nga zgjerimi, por para anëtarësimit Serbia, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, duhet të arrijë marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve./VoA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme