Ministria e Integrimit Evropian: Mos të ndërhyhet në pavarësinë e gjyqësorit

Ministria e Integrimit Evropian: Mos të ndërhyhet në pavarësinë e gjyqësorit

09 shkurt 2018 19:28

Ministria e Integrimit Evropian, shpreh shqetësimet e saj lidhur me miratimin e rekomandimeve të paraqitura nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Përmes një komunikate nga kjo Ministri, thuhet se këto rekomandime cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe si të tilla janë në kundërshtim me parimin themelor kushtetues të ndarjes së pushteteve.

“Rekomandimet në fjalë, cenojnë detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim për të respektuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë si një prej vlerave kryesore të Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

Ministria për Integrim Evropian thekson se miratimi i këtyre rekomandimeve vjen pak ditë pasi që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka procesin e vet të integrimit në Bashkimin Evropian të ndarë nga Serbia dhe se zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim është detyrim për Kosovën për të ecur përpara në këtë proces.

“Ndërhyrja politike në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, siç është miratimi i rekomandimeve në fjalë, cenojnë rëndë procesin e integrimit evropian të Kosovës si një prej proceseve më të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, përfundon reagimi nga MIE.

Kujtojmë se sot gjatë ditës reagime të tilla ndaj këtij miratimi pati edhe nga Ministria e Drejtësisë dhe KGJK-ja.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme