KGJK reagon pas miratimit në Kuvend të rekomandimeve të Vetëvendosjes

KGJK reagon pas miratimit në Kuvend të rekomandimeve të Vetëvendosjes

09 shkurt 2018 16:32

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), thotë se me vëmendje ka përcjell diskutimet e sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë atë që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Në një reagim për media, KGJK thotë se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, sistemi gjyqësor është i pavarur, i drejtë, apolitik e i pa-anshëm dhe siguron qasje të barabartë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Respektimi i pushtetit gjyqësor dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore është obligim për të gjithë qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, racore, të nivelit arsimor, apo bartësve të funksioneve shtetërore. Ligji garanton mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe mjetet juridike të cilat kanë të drejtë i shfrytëzojnë të gjitha palët në procedurë. Çdo tejkalim i autorizimeve kushtetuese dhe ligjore konsiderohet ndërhyrje në punën e gjyqësorit”, thuhet në reagimin e KGJK-së.

“Prandaj, me këtë rast, kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës si institucion i cili ka nxjerrë Kushtetutën dhe Ligjet mbi bazën e të cilave funksionon sistemi gjyqësori që t’i respektojë ato dhe të ndihmojë sistemin gjyqësor për përmbushjen e mandatit për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet më tutje në reagim.

Reagimi vjen pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Rekomandimet e paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje rreth dënimit të aktivistëve të saj, pas debatit të zhvilluar dje. Rekomandimet u miratuan me 40 vota për, 10 kundër dhe 13 abstenime.

VV përmes rekomandimeve të paraqitura në seancën e djeshme ka kërkuar: Të gjenden kush janë aktorët e vërtetë të sulmit me armë zjarri në natën e datës 4 gusht 2016? Kush është organizatori dhe zbatuesi i projektit të inskenuar për burgosjen e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për këtë sulm? Kush janë ideatorët e këtij inskenimi monstruoz kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje? Kush e vrau Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2017. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit nga njëri nga vendet perëndimore të BE-së. Por këtë duke e veçuar nga rasti i Astrit Deharit”, shkarkimin e të gjithë personave nga Policia e Kosovës të involvuar në këtë rast, sipas tij të inskenuar si dhe shkarkimin dhe suspendimin e të gjithë personave që kanë qenë kompetentë dhe përgjegjës në hierarkinë shtetërore në kohën kur ka ngjarë rasti i Astrit Deharit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme