Zgjedhjet lokale

Dreshaj kërkon rinumërim të votave në Istog

Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave në Istog, kandidati i AAK-së, Gani Dreshaj, ka kërkuar rinumërim për shkak se konsideron se i është vjedhur fitorja.

Haki Rugova i LDK-së arriti që të sigurojë edhe një mandat duke fituar në fund për vetëm 14 vota dallim. Megjithatë, kjo fitore erdhi pasi mbrëmë KQZ gaboi duke i dhënë fillimisht epërsinë Dreshajt.

“Istogu dy herë ka votuar për fitoren tonë. Një herë lejuam që të na vidhet fitorja, më kjo nuk do të tolerohet. Rezultatet që KQZ i nxori sot janë tërësisht të papranueshme dhe mënyra se si vepron KQZ është skandaloze. Mbrëmë Istogu festoi çlirimin e dytë nga bandat e LDK-së pas rezultateve zyrtare tonat që ishin të konfirmuara edhe në faqen e KQZ-së. Sot, presioni i LDK-së bëri që rezultatet të ndërrohen pa asnjë shpjegim, madje KQZ nuk pati asnjë kërkim falje për "gabimet" që thanë se i kanë bërë. Kërkoj rinumërimin e të gjitha votave, të gjitha kutive ngase fitorja është e jona dhe e tillë do të mbetet”, ka shkruar ai në Facebook.