Zgjedhjet lokale

Prokuroria: Asnjë rast penal lidhur me procesin e rivotimit në komunën e Istogut

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se deri në ora 20:30, në rivotimin për kryetar të komunës së Istogut, janë raportuar vetëm 4 raste lidhur me këtë proces zgjedhor.

“Pas marrjes së informatave se një anëtar i një subjekti politik në Istog, ka dhënë para për të blerë vota, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është intervistuar i dyshuari, ndërkaq rasti është iniciuar me raport të veçantë për procedim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. “Ndërkaq, pas marrjes së informatave dhe pas verifikimit të tyre nga prokurorët, të cilët kanë përcjellë për së afërmi procesin e rivotimit për komunën e Istogut, rezulton se nuk ka pasur elemente të ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor”, thuhet më tej.

Në njoftim thuhet se po ashtu, Prokurori i Shtetit do të vazhdojë të përcjellë situatën deri në përfundim të procesit zgjedhor si dhe për çdo rast do të njoftojë opinionin.

“Prokurori i Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit, me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këtë proces të rivotimit”.