Zgjedhjet lokale

Dreshaj, koalicion me PDK-në e VV-në – thumbon votuesit e LDK-së

Kandidati i AAK-së për Komunën e Istogut, Gani Dreshaj, ka bërë me dije se ka arritur marrëveshje koalicioni me PDK-në në këtë komunë për rivotimin që do të mbahet më 17 dhjetor.

“Për hajër na qoftë. Sapo arritëm marrëveshjen me Partinë Demokratike të Kosovës për koalicion parazgjedhor. Me Beqir Sadikajn i definuam të gjitha detajet e marrëveshjes. Ju betohem se do jetë koalicion i punës dhe të mirës për qytetarin”, ka shkruar Dreshaj.

Dreshaj ka bërë me dije se veç koalicionit me PDK-në, partia e tij ka arritur marrëveshje edhe me Vetëvendosjen dhe me listën e Arif Elshanit, gjë që, sipas tij, do të arrijë fitore bindëse.

“Bashkë me PDK-në, Vetëvendosjen dhe listën e Arif Elshanit ne do të arrijmë fitore bindëse në zgjedhjet e 17 dhjetorit”, ka shtuar ai.

Në fund, ai ka thumbuar elektoratin e LDK-së, duke u bërë ftesë edhe atyre që të votojnë AAK-në në këto zgjedhje.

“I ftoj edhe votuesit e LDK-së që të rreshtohen krah neve sepse me mua kryetar do të përfitoj secili qytetar i Istogut”, tha në fund kandidati i AAK-së, Gani Dreshaj.

Kujtojmë se në raundin e parë të zgjedhjeve të sivjetme lokale, më 22 tetor, kandidati i LDK-së, Haki Rugova dhe ai i AAK-së, Gani Dreshaj, shkuan në balotazh.

Në raundin e balotazhit, fitues doli Dreshaj, mirëpo pas ankesave të LDK-së në PZAP për dallavere, ky institucion mori vendim që kjo komunë të shkojë në rivotim.