PDK, Prizren: Klani i Molotovit dhe Vjedhësit e Votave i kanë kapur organet e pavarura Foto: Koha / ilustrim

PDK, Prizren: Klani i Molotovit dhe Vjedhësit e Votave i kanë kapur organet e pavarura

04 dhjetor 2017 17:10

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka reaguar ndaj vendimit të PZAP-së i cili e refuzoi ankesën e kësaj partie për rinumërim të votave në Komunën e Prizrenit.

Kjo parti e konsideron vendimin e PZAP-së si vazhdimësi e vendimit të Gjykatës Supreme, ku, siç thotë PDK, “njëri nga gjykatësit, Erdogan Haxhibeqiri, të gjithë të afërmit e tij i ka të angazhuar në VV dhe kësisoj i janë vënë në mbrojtje të krimit, lejimit të vjedhjes dhe manipulimit të votave nga VV, ditën e zgjedhjeve me 19 nëntor, për të cilën kemi paraqitur prova dhe fakte konkrete me shkrim dhe video, me të cilat është i njohur edhe opinioni i gjerë publik”.

PDK në Prizren, vlerëson se “kapja e vërtetë e organeve të pavarura është bërë nga Klani i Molotovit dhe Vjedhësit e Votave (VV), dhe me këtë rast PZAP ka aplikuar standard të ri duke mos shqyrtuar provat konkrete të paraqitura nga ne dhe duke vendosur përkrah keqpërdorimeve të bëra në ditën e zgjedhjeve, ku bartja zig-zag e kutive nëpër klasa nga komisionerët dhe vëzhguesit e VV-së, është konsideruar si akt normal e që në të vërtetë bie në kundërshtim me të gjitha rregulloret e zgjedhjeve të lira dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës”.

PDK ka thënë se do të vazhdojë t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore dhe demokratike për, siç thotë, zbardhjen e keqpërdorimeve dhe dërgimin e verdiktit të qytetarëve në vend të vet, duke mos hequr dorë asnjëherë nga kërkimi i anulimit të qendrave ku, sipas kësaj partie, ka pasur shkelje dhe kontrabandim të votës dhe se është domosdoshmëri imediate transparenca e procesit të rinumërimit të votave për qetësimin e mbi 25 mijë demokratëve të Prizrenit.

PDK, dega në Prizren, iu bënë thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve në Prizren, që të jenë në pritje të vendimit nga Gjykata Supreme, “ku edhe do të bëjmë ankesë, duke besuar në paanshmërinë dhe profesionalizmin e këtij organi, sepse çdo tendencë për kontrabandim të zgjedhjeve është sulm ndaj demokracisë, votës së shenjët të qytetarëve dhe zhvillimit të jetës normale në qytetin e Prizrenit”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme